Policia e Vlorës ka dhënë informacion zyrtar për aksionin e gjerë anti-drogë, që ka çuar në kapjen e 27 personave dhe sekuestrimin e 120.9 kg drogë.
Bilanci i operacionit policor “Hapësira” është: 41 urdhër arreste, 27 të arrestuar, 5 të shpallur në kërkim, 5 arrest shtëpie dhe 5 detyrim paraqitje.
“Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja e 27 personave, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, ekzekutimi i 5 masave të sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe i 5 masave të sigurisë ”Detyrim për paraqitje”, si dhe u shpallën në kërkim 4 persona që nuk u gjetën gjatë operacionit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në këtë zinxhir kriminal, është arritur të zbulohet dhe veprimtaria implikuese e disa punonjësve të policisë së Vlorës, për të cilët është kërkuar arrestimi.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në 41 banesa.
Gjatë periudhës hetimore gjashtëmujore janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike canabis sativa, në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar 120.9 kg lëndë e dyshuar narkotike, janë sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive, 39 telefona celular etj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




