Bota

Operacion anti-mafia në Palermo, 180 të arrestuar! Goditen bosët dhe familjet e ‘Cosa Nostra’

Gazeta Si – Një mega-operacion nga Drejtoria e Antimafias në Palermo, me përfshirjen e mbi 1.200 karabinierëve, çoi në ndalimin dhe arrestimin e 181 personave, përfshirë bosë, “kolonelë”, njerëz të nderit dhe zhvatës të ndryshëm të kryeqendrës dhe provincës siciliane në Itali.

Hetimi zbuloi organikën e familjeve kryesore, punët e klaneve dhe një tjetër përpjekje të organizatës famëkeqe mfioze “Cosa Nostra” për të rindërtuar Kupolën provinciale dhe për të reaguar ndaj represionit të ashpër që vitet e fundit kishte çuar mijëra mafiozë në burg.

Qytezat kryesore të përfshira në hetim, janë ato të Santa Maria di Gesù, Porta Nuova, San Lorenzo, Bagheria, Terrasini, Pagliarelli dhe Carini. Përveç 181 arrestimeve, në policinë gjyqësore janë njoftuar edhe dy masa sigurie “detyrim paraqitjeje”.

Të arrestuarit akuzohen për arsye të ndryshme për organizatë kriminale të tipit mafioz, tentativë vrasjeje, zhvatje, e kryer ose në tentativë me metoda mafioze, organizatë me qëllim trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, ushtrim të ndikimit, krime në lidhje me armët, kundër pronës, kundër personit dhe lojëra të paligjshme të fatit.

Hetimet zbuluan sistemin e ri me të cilin u takuan bosët për të riorganizuar komisionin e ri krahinor, i goditur nga policia me arrestimet e dhjetorit 2018.

Bosët e mafies në burg dhe ata që ishin ende të lirë, kishin në dispozicion karta sim dhe celularë të koduar, të paligjshëm, të futur në mënyrë të paligjshme në qeli, e të cilët komunikonin të pashqetësuar dhe jepnin urdhra jashtë.

Pajisjet përdoreshin vetëm për të telefonuar nga qelia dhe jo për të kthyer mbrapsht thirrjen, një lloj ndërlidhjeje telefonike: një rrethanë që e bën shumë të vështirë kryqëzimin e të dhënave.

Sipas hetuesve, falë kësaj mënyre, “njerëzit e nderit”, menaxhonin trafikun e drogës dhe organizonin samite. Megjithatë, këto sisteme nuk penguan përgjimin e komunikimeve nga policia.

Megjithatë, disa “shefa” ishin aq të sigurt sa nuk mund të përgjoheshin, saqë nuk morën asnjë masë në takimet online për të vendosur mbi strategjitë e riorganizimit të komisionit krahinor. Deri në zbulimin e emrave të krerëve të qarqeve dhe organikave të reja.

Disa nga mafiozët e arrestuar, ishin gati të kalonin në arrati. Kunati i shefit Nunzio Serio, për shembull, pasi gjeti aparate përgjimi në makinën tip “Smart” të gruas së tij dhe kishte frikë se së shpejti do të arrestohej, u largua nga Palermo për të ikur në veri.

“Ne jemi të gjithë të bombarduar”, – tha ai, sipas mediave italiane. Një tjetër bos mafioz, pasi i shpëtoi ndjekjes së një patrulle të policisë, kishte planifikuar gjithashtu me familjen, të strehohej jashtë vendit dhe të mbronte pasuritë e grumbulluara përmes lojërave online.

“Duhet të iki nga këtu… Unë po iki të ndryshoj vendbanim… – tha ai, – ajo që mund të godasin, janë familja ime, por nëse i kam pranë, mund të humbas në një majë mali, ndaj më mirë që po largohem. Italia është bërë e pakëndshme për ne, duhet të largohem, sepse absolutisht nuk kam ndërmend të humbas atë që kam krijuar deri më sot. Filloni të bëni gati pasaportat”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë