Gazeta Si – Të premten, bordi i drejtorëve të “OpenAI”, zhvilluesi i softuerit të inteligjencës artificiale ChatGPT, hodhi poshtë njëzëri një ofertë për blerje prej 97.4 miliardë dollarësh (rreth 94 miliardë euro) që ishte paraqitur të hënën nga një grup investitorësh të udhëhequr nga sipërmarrësi amerikan, Elon Musk. Oferta tashmë është refuzuar joformalisht në rrjetin social
Bret Taylor, kryetar i bordit të drejtorëve, tha në një deklaratë se “OpenAI”, “nuk është në shitje” dhe hodhi poshtë “përpjekjen e fundit të zotit Musk për të penguar konkurrencën”.
Përveçse njeriu më i pasur në botë, pronar i Tesla-s, SpaceX dhe rrjetit social “X” (ish-Twitter), Musk themeloi “OpenAI” me Altman në vitin 2015 si një organizatë jofitimprurëse, por u largua nga kompania pasi u përpoq pa sukses për të marrë kontrollin në 2018-ën.
Oferta që ai paraqiti të hënën, konsiderohet si një përpjekje për të penguar një riorganizim të korporatës që Altman po kryen prej disa kohësh, me synimin për të transformuar “OpenAI” nga një organizatë jofitimprurëse, në një kompani fitimprurëse plotësisht. Kjo do të mundësonte mbledhjen e parave për të financuar zhvillimin e softuerit të inteligjencës artificiale.
“OpenAI” aktualisht ka vetëm një ndarje fitimprurëse, me një kufi në dividentët e aksionarëve: qëllimi i Altman është të transferojë kontrollin e plotë tek investitorët ekzistues, përfshirë Microsoft.
Ofertat e blerjeve, si ajo e paraqitur nga Musk, mund të komplikojnë planet e Altman, sepse ato në mënyrë efektive nxisin një ankand të brendshëm për kontrollin e OpenAI nga investitorët aktualë, shkruan gazeta amerikane “New York Times”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.