Ka ndodhur

Goditet rrjeti i shpërndarësve të drogës në Elbasan, 25 të arrestuar e 14 në kërkim

Gazeta Si – Një rrjet i shpërndarësve të drogës në shkolla dhe lokale u godit në një mega-operacion antidrogë të policisë i nisur në orët e para të kësaj të hëne në disa qytete të qarkut të Elbasanit dhe i finalizuar në mbrëmje.

Sipas policisë, në operacionin “First Day” u arrestuan në total 30 persona, për të cilët gjykata kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg dhe u shpallën në kërkim 14 të tjerë.

Personat e arrestuar dhe ata që u shpallën në kërkim dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, sidomos pranë shkollave.

Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan sasi të mëdha droge të llojeve të ndryshme, armë, municione dhe para që dyshohet se ishin përfituar nga ky aktivitet kriminal.

Ky është një nga operacionet më të mëdha të kryera këtë vit në territorin e qarkut Elbasan, një zonë që prej vitesh ndodhet nën vëzhgim të shtuar për aktivitetet kriminale të lidhura me narkotikët.

Hetimet dokumentuan aktivitet të organizuar kriminal, me grupe të vogla ose individë, që vepronin kryesisht pranë shkollave, lokaleve dhe zonave të ndryshme të qyteteve Elbasan, Librazhd, Gramsh, Cërrik, Peqin, Belsh dhe Prrenjas.

“Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit: A. B., 42 vjeç, E. S., 48 vjeç, Sh. B., 56 vjeç, A. (A.) B., 52 vjeç, F. Th., 34 vjeç, H. G., 64 vjeç, G. T., 37 vjeç, M. B., 45 vjeç, P. Q., 50 vjeç, S. B., 38 vjeç, D. E., 38 vjeç, M. Q., 38 vjeç, Sh. Sh., 46 vjeç, B. G., 64 vjeç, I. K., 38 vjeç, M. E., 36 vjeç, I. F., 45 vjeç të gjithë banues në Elbasan, K. H., 34 vjeç, A. K., 50 vjeç, banues në Peqin;, I. B., 41 vjeç, K. Ç., 24 vjeç, F. R., 24 vjeç, K. K., 30 vjeç, M. B., 24 vjeç, banues në Librazhd, P. T., 30 vjeç, banues në Prrenjas”, – njofton policia.

Në kuadër të këtij megaoperacioni, u sekuestruan:

Lëndë narkotike (kokainë dhe kanabis)

Armë zjarri (pistoletë, kallashnikov) dhe armë gjahu

Municion luftarak dhe pajisje të tjera të rrezikshme

Peshore elektronike, thika dhe përforcues grushti

Steka duhani të dyshuara të kontrabanduara

Laptop, tablet, DVR, targa automjetesh (shqiptare dhe belge)

Shuma parash në euro, paund, dollarë dhe franga zvicerane

24 celularë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë