Kryeministri Edi Rama në prezantimin e paketës së paralajmëruar kundër grupit në drejtësi të cilësuar si “Kap Ça të Kapësh”, paraqiti ligjin special dhe paketën pa kushte kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. “Kërkoj mbështetjen pa kushte të paketës të grupit parlament të PS-së dhe kush nuk e voton është i përjashtuar nga familja jonë politike”, kështu deklaruar kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të gjatë për më shumë se dy orë paraqiti synimet e platformës “Anti KÇK” deklaroi se prokurorët dhe gjyqtarët të cilët janë në pritje të vetingut, të cilët ai i quan si “grupimi KÇK”, do duhet t’i nënshtrohen një procesi administrativ për të dhënë llogari për pasuritë e tyre, bizneset apo automjetet. Kryeministri tha se prokurorët dhe gjyqtarët do duhet të japin llogari se si i kanë siguruar këto të ardhura, ndërkohë që paralajmëroi se formulari i dekriminalizimit që kanë firmosur personat e zgjedhur, deputetet apo zyrtarët, do duhet të plotësohet edhe nga personat e drejtësisë. “Njerëzit që s’kanë shanse të kalojnë vetingun dhe sot po e tregojnë veten. Sot ata nuk e kanë më jetën përpara, në kuptimin e karrierës, por kanë vetëm kohën e mbetur për të dalë para Komisionit të Vettingut, dhe motoja e tyre është “Kap ça t’kapësh”. Unë e kam dëgjuar nga ata. Rasti i Durrësit është me flagranti, u gjendën në një makinë, prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar dhe në bagazhet e makinës, dokumentet e vjedhura nga prokuroria. Ato që për vite me radhe, vendoseshin kundër reformës në Drejtësi, dhe në kurriz të Donika Prelës. Çfarë duhet të bëjmë në këto kushtet, do presim vetingun e tyre? Për shkak se kriminelët i kanë shpatullat e ngrohta, ka një paturpësi ekstreme dhe mungesë ekstreme, frike dhe kujdesi për të fshehur gjurmës. Çfarë do bëjmë ne kur një kriminel merr peng hipotekën e Vlorës, dhe Policia nuk arrin të veprojë për shkak se Gjykata nuk vepron”, theksoi Rama.
Kryeministri tha se barra e provës së sekuestrimit do t’u takojë atyre për të vërtetuar për pasurinë që kanë krijuar. “Nuk ka ardhur koha që këta njërës që janë dënuar për krime të renda, që janë akuzuar për krime të rënda dhe nuk janë dënuar si rezultat i marrëdhënies me KÇK-në, apo janë të dënuar në vendet e BE-së, t’u kërkohet të deklarojnë pasuritë. T’u kërkohet të deklarojnë se ato që janë i kanë si rezultat i punës, pse kjo u bëka për të gjithë ata që duhet të zgjidhen, po për gjykatësit dhe prokurorët pse nuk u bëka për këta? Kush janë këta? Në këtë vakum mes drejtësisë së vjetër dhe drejtësisë së re që po ngrihen, dhe ku KÇK është në një veprim intensiv ne duhet të ndërhyjmë me një ligj special, kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Të gjithë ligin antimafia ta kalojmë në kurrizin tyre dhe të familjarëve të tyre. Ata duhet të provojnë që shtëpinë, makinën, biznesin i kanë si rezultat i punës. Ky nuk është proces penal, por administrativ. Është një proces administrativ dhe ndërkohë KCK i duhet vënë një kufi shumë i qartë sepse jemi në kushtet kur një anëtar i KCK shkel ligjin askush nuk vepron, ndërkohë që duhet sqaruar ligjërisht që KLP dhe KLGJ të marrin masë për pezullimin dhe inspektimin për anëtarin e kësaj organizate kriminale. Ndërkohë që deri në funksionimin e-plotë të Inspektorit të lartë të Drejtësisë nëse nuk e bëjmë do bëhet nami në Shqipëri, do kemi çdo javë shfaqje tërbimi në shkelje të ligjit. Plus kësaj, nëse inspektimi vlerëson se anëtari i KCK ka shkelur ligjin është në shkelje mbi të duhet të fillojë procesi antimafia”, tha Rama.
Duke e cilësuar si një grup kriminal të rrezikshëm kriminal, apo dhe deri në tutorë Rama bëri të ditur se qeveria të hënë do të miratojë një akt normativ, ku paraveshit do të preken edhe disa ligje. Ndërsa u shpreh se Agjencia e Sekuestrimit të Aseteve do të kalojë në varësi të ministrisë së Brendshme. “Do të krijohet një njësi speciale special kundër korrupsionit, si një Task-Forcë, me përbërje me të gjitha institucionet që janë të detyruara të luftojnë dhe të koordinojnë me njëra-tjetrën, Do të jetë njësoj si OFL-ja”, deklaroi Rama.
Kryeministri deklaroi se ka punuar me ekspertin izraelit për këtë çështje dhe me ato ndërkombëtarë. “Për këtë ligj ne kemi punuar intensivisht dhe ministrin e Brendshëm, e Drejtësisë, eksperti izraelit që na kanë asistuar dhe do të na asistojë në operacionin dhe të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtare. Në 2017 kemi ngritur Task Forcën forca e ligjit. Kjo ka pasur një mision të posaçëm për të funksionuar si një strukturë, e cila kishte për objekt grupet kriminale. Ka ardhur koha që forca e ligjit të kthehet në njësi speciale me ligj dhe të jetë pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit në nivelin më të lartë. Një strukturë operacionale që operon me ligj të veçantë dhe që për mision ka ekzekutimin e akteve të sekuestrimit preventiv të pasurive të eksponentëve të krimit të organizuar. Kjo është OFL, është një grup i ngritur prej më shumë se 6 muajsh, i trajnuar për këtë ditë dhe është gati për nisjen e operacionit. Masat do të jenë me karakter personal, pasuri dhe ekonomik”, theksoi Rama.
Sipas tij ky ligj do të jetë në fuqi për aq kohë sa të përfundojë procesi i Vettingut ndaj gjyqtarëve.
Ndërsa duke iu referuar qëndrimit të ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi, Rama u ndal edhe te sulmet që presidenti Meta bëri ndaj ambasadorë duke i cilësuar si palaço diplomatët. Ai theksoi se ky ishte një turp i madh, pasi këto sulme nuk i parashikohej as në Kanunin e lashtë shqiptarë, që të sulmohet miku. Rama i qëndroi edhe një faktit se për çështjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka pasur bekimin e ndërkombëtarëve dhe çdo hap i ndërmarrë është realizuar në konsultë me SHBA dhe BE.
“Ajo që bën Meta është jo vetëm e turpshme për të gjithë ne, jo vetëm në kundërshtim me Konventën e Vjenës që mbron dinjitetin dhe integritetin e çdo diplomati si përgjegjësi e shtetit ku është, por është e turpshme edhe për të gjithë paraardhësit tani që kur është shkruar Kanuni. Turp, turp, turp! Ne jemi të qartë në rrugën tonë, do jemi 100% në një linjë me SHBA-të. Ndërkombëtarët nuk janë në Shqipëri për ta qeverisur atë dhe për të marrë dardha. Ata janë në Shqipëri për të përfaqësuar vendet e tyre dhe kërkojnë që në Shqipëri të pastrohet llumi nga drejtësia dhe KÇK të marrë një goditje të rëndë”, tha kryeministri Rama.
Kriza artificiale, opozita frikë nga drejtësia
Në konferencën ku do të prezantohej “mekanizmi i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit”, kryeministri Rama tha se negociatat u bllokuan dhe për shkaqe të brendshme nga frika vendosjes së drejtësisë së re. “Mund të them se ishte një vit i vështirë, nga më i vështiri për krijuar një situatë krize të thellë me mjete artificiale të politikës dhe për të shtrënguar të gjithë bashkësinë tonë në një proces përplasje që ka karakterizuar për gjysmën e këtij viti. Ky ka qenë viti më i vështirë i qeverisjes sonë. Shqipëria nuk arriti të çelë negociatat me BE. Ne themel të asaj përpjekje ka qenë frika, frika nga drejtësia. Frika nga drejtësia e lidhur me mundësinë reale të çeljes së negociatave që dihet se vjen një proces ballafaqimi mes vendit kandidat dhe negociatave. Gjithë reforma në drejtësi, gjithë bagazhi ligjor i krijuar në këto vitet e fundit korrespondon me kapacitetet e sistemit të drejtësisë, për të gjykuar pavarësisht statusit social, apo influencës apo forcës të individëve të caktuar. Adresim i korrupsionit deri në nivelet më të larta, kjo ka qenë në themel të gjithë asaj përpjekje që kulmoi me një situatë absurde dhe sureale në procesin zgjedhor”, deklaroi kryeministri në fjalën e tij.
Për Ramën, qeverisë iu desh punë e madhe për të realizuar procesin e lobimit me vendet e BE-së për të hequr atë që e cilësoi si baltën e hedhur ndaj Shqipërisë, duke nëkuptuar lëvizjet e ndërmarra nga ana e opozitës. Kryeministri gjatë fjalës së tij e lidhi refuzimin për çeljen e negociatave me përplasjet brenda Francës dhe Gjermanisë dhe se bëri të ditur se katër ambasadorët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë janë thirrur në Paris për të vendosur rrugët për procesin e integrimit dhe të çeljes së negociatave për vendet e Ballkanit.
Por për shkak të kësaj situate, kryeministri e pranoi që kjo ka sjellë edhe një pasiguri ekonomikë. “Ky ka qenë një vit i vështirë që ka ndikuar në ekonominë e vendit. Një vit i vështirë që ka krijuar një nivel të ri pasigurie në raport me të nesërmen. Çdo ndjesi pasigurie reflekton menjëherë në situatën aktuale të ekonomisë. Ja vlen që ne të përsërisim bazuar mbi fakte dhe opinione se përsëri edhe këtë vit është konfirmuar një trend pozitiv i nisur gjashtë vite me parë dhe në raport nga jemi nisur sot kemi të dhëna që tregojnë se s’ka të krahasuar situata sot me situatën dje. Por s’ka të krahasuar situata sot me pritshmërinë për një ekonomi që nesër të jetë shumë më e fortë dhe e gatshme tju japë të gjithëve një mundësi”, theksoi Rama.
Vila në Surrel, udhëtimet e Bashës dhe oligarkët
Me një skenar të mirëpërcaktuar, kryeministrit i janë bërë të ditura disa pyetje në lidhje me vilën e tij në Surel, oligarkët, por duke i kujtuar edhe faktin se rivali i tij politik, Lulzim Basha së bashku me familjen e tij, apo dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi udhëtojnë me avion biznes klas. Sa i përket vilës së tij në Surrel, Rama theksoi se banesa ku jeton është si shtëpitë 2 deri në 3 kate, si e të gjithë shqiptarëve. “Vila ime ka një formë të ndryshme, siç jam unë i ndryshëm nga të tjerët. Në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptarëve është një banesë e një familje shqiptare më shumë. Kaq! Për të gjithë ata që kanë hedhur baltë lidhur me këtë mund të them që shtëpia ime është e deklaruarën çdo detaj dhe faturë dhe do isha i lumtur nëse me të gjithë bashkëjetuesit do binim dakord të bënim një sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat dhe sa korrespondojnë me produktin”, është shprehur ai. Ndërsa sa i përket udhëtime me biznes klas, Rama u shpreh se qeveria e tij ka marrë vendim që asnjë ministër të mos udhëtojë me biznes klas në avion. “Me përjashtim që me 180 centimetrat e mia dhe kur më duhet që të udhëtojpërtej oqeanin, për shkak se shtylla ime kurrizore është bërë publike tashmë”, theksoi Rama, duke e lidhur me problemet shëndetësore me kolonën.
Duke iu referuar sulmeve të oligarkëve, që opozita i sulmon si të lidhur, Rama u shpreh se janë të njëjtën persona që kanë punuar edhe në kohën e qeverisjes së PD-së. Madje ai dha një shifër për taksimin e këtyre kompanive. “Shihni shifrat janë 22 milionë USD dollarë që kanë derdhur detyrimet, ndërsa nga 2014-2018 janë 125 milionë USD. E pra shihni ndryshimin, Ndërsa na sulmojnë për 10 apo 100 oligarkët apo dhe PPP-të se e besojnë edhe vetë brenda nesh. Në një kohë që oligark është ai nuk e kanë njohur më parë e që është krijuar me pushtetin politik dhe jo ato që kanë ekzistuar dhe më parë. Flitet me PPP dhe aq shumë flitet sa e besojnë edhe këta nga ne. Nuk ka një thes që jepet nga buxheti i shtetit për oligarkun, është një investim që e bën me paratë e tij dhe shteti e shlyen investimin. Shihni stadiumi PPP fantastike, asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, e ja ku është para të gjithëve”, theksoi Rama. Ai u përgjigj edhe akuzave që PS-ja është e lidhur me krimin. “Ne jemi akuzuar partia e kriminelëve, e krimit aq sa janë sugjestionuar brenda nesh nga kjo propagandë. Ne s’jemi një familje politike e rënë nga qielli. Jemi një parti politike që ka dita e parë e pluralizmit në një Shqipëri që ka qenë kompleke se ka pasur lëvizje tektonike të njerëzve e janë të panumërt shqiptarët që jashtë janë trajtuar si mos më keq”, theksoi Rama. Ndërsa iu përgjigj akuzave për shpopullin, duke theksuar se më shumë shqiptarë janë larguar gjatë qeverisjes së PD-së se sa më atë aktualen.
Plaftorma me shtatë pika për këto dy vite
1- Përshkallëzim i luftës kundër krimit dhe korrupsionit
2-Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe deri në fund 2020 të mbyllen të gjitha sportelet që i shërbejnë qytetarëve dhe shërbimet të bëhen online. Së paku aplikimit, se jo cdo shërbim mund të mbyllet. Në 1 janar do të jenë 40% e shërbimeve që do jepen online. Deri në qershor do të shkojnë 67 % dhe deri në fund të vitit thuajse 100%.
3-Energjia dhe infrastruktura. Kemi një paketë të tërë ndryshimesh dhe investimesh që do të lancohet në javët e ardhshme me disa investime në infrastrukturë dhe energji.
4-Regjimi i ri në vijën bregdetare. E kemi parë që vija bregdetare iu është marrë qytetarëve dhe ka mbetur në dorën e të fortëve. Sikur ta dini sa prokurorë disponojnë të drejta mbi vijën bregdetare është për të vënë duart në kokë.
5-Prioriteti tjetër është mbyllja e procesit të legalizimeve për shtëpitë, jo për bizneset dhe legalizimi i tokës bujqësore.
6-Prioriteti tjetër është transformimi i infrastrukturës në universitete. Tirana duhet të ketë infrastrukturën e re universitare që të jetë njësoj si stadiumi. Siç sot kemi stadiumin më të bukur në rajon duhet të kemi edhe kampusin më të bukur në rajon.
7-Shengeni rajonal. Kush është kundër shengenit rajonal nuk kupton asgjë. Shengeni rajonal është një vizion dhe një këmbëngulje nga ana ime qysh në ditën e parë të procesit të Berlinit. Ka qenë i penguar nga presidenti i Serbisë me të cilin unë kam bërë pafundësi debatesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.