Kriza politike në Shqipëri po fut një përçarje të re brenda shoqatës “OMONIA”, e cila përfaqëson minoritetin kryesisht grek, e që përbën edhe shtyllën kryesore të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, subjektit politik që kësaj here është në krahun e opozitës.
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule iu bashkua nismës së PD-së për të dorëzuar mandatin e deputetit, por thirrja e opozitës së bashkuar për të ndjekur të njëjtën veprim edhe kandidatët e listës shumemërore, nuk ka gjetur përkrahje nga një pjesë e tyre, e kryesisht nga përfaqësuesit e aleatëve në listat e PD-së. Ligoraq Karamelo, kryetari i “OMONIA” për Korçën, ka pranuar që të marrë mandatin e deputetit. Ai është i renditur i gjashti në listën e PD-së për Qarkun e Korçës.

“Para shprehjes të qëndrimit tim organizova dëgjesa dhe mora kontakte gjatë këtyre ditëve me kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm Drejtues, drejtues të degëve dhe nëndegëve përfaqësues të shoqatave të OMONIA dhe PBDNJ. Vendimi i tyre ishte i qartë dhe i prerë; të pranoj të marr mandatin e deputetit. Minoriteti etnik grek, homogjenët në Korçë, por edhe opinioni demokrat duan të kenë zërin e tyre në Kuvend”. Kjo ishte deklarata e Karamelos, i cili theksonte se është konsultuar përpara një vendimi të tillë para se të refuzonte urdhrin dhe qëndrimin e partisë së tij.
Por akti i tij duket se nuk ka gjetur një konsensus mes vetë shoqatën që ai përfaqëson. Nënkryetari i shoqatës “OMONIA”, Fredi Bejleri në prononcim për Gazeta “Si” shprehet se vendimi i Karamelos për të marrë mandatin e deputetit është qëndrim personal, pasi sipas tij, qëndrimi është në të njëjtën linjë me Dulen dhe opozitën shqiptare.
“Ky është një qëndrim personal i zotit Karamelo që distancohet edhe nga PBDNJ dhe nga OMONIA. Ne, si OMONIA dhe PBDNJ gjendemi në opozitë, besoj se duhet të iki qeveria më e keqe që ka ngritur ndonjëherë Shqipëria dhe veprimi i zotit Karamelo është një veprim që e nxjerr veten e tij jashtë strukturave të OMONIA-s dhe jashtë PBDNJ-së”, deklaron Bejleri për Gazeta “Si”.

Në lidhje me faktin se nëse Karamelo mund të jetë konsultuar për këtë veprim edhe me eksponentë politikë të shtetit fqinj, Greqinë, Bejleri deklaron se ky është qëndrimi që mban si shoqatë dhe kjo është linja zyrtare.
“Nuk e di se çfarë bisedimesh ka bërë me shtetin fqinj, por unë them si nënkryetar i Përgjithshëm i OMONIA-s dhe nënkryetar i PBDNJ-së, jam përfaqësues i këtyre dy organizatave, i bashkangjitem mendimeve të opozitës; jam me të; jam në rrugë për të hequr qeverinë më të keqe që ka njohur Shqipëria pas viteve ’90”, thekson më tej ai.
Më vonë OMONIA mbajti një deklaratë zyrtare duke e cilësuar si vendim individual të Karamelos për të pranuar mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
“Sqarojmë se për këtë nuk pati dhe nuk ka asnjë dakordësi miratuese nga ana e organeve institucionale të OMONOIA-s. Bëhet fjalë për një vendim individual dhe respektive janë edhe konsekuencat dhe përgjegjësitë politike. BDMEG OMONOIA, duke miratuar dhe mbështetur vendimet politike të PBDNJ-së, sikundër ato shprehen nga Kryetari i saj, çmon se heqja dorë nga mandatet parlamentare të anëtarëve të Kuvendit të opozitës, përbën me të vërtetë një akt politik tejet serioz, por ndërkaq, adekuat me synim rehabilitimin e rendit politik dhe funksionimit normal të procesit të demokracisë në vend”, thuhet në deklaratën e OMONIA-s.
Më tej theksohet se si “Minoritet Etnik Grek kemi arsye thelbësore të jemi në atë anë të shoqërisë që kërkon përmirësime esenciale të mënyrës së të ushtruarit të qeverisjes, mirëfunksionimin e drejtësisë, luftimin e varfërisë dhe kryesisht përshpejtimin e reformave që hapin rrugën e procedurave integruese të Shqipërisë në BE”.
OMONIA ishte organizata politike e cila hyri në Parlament në vitin 1991 me katër deputetë, e më pas krijoi Partinë për Bashkimin për të Drejtat e Njeriut. Pikërisht kjo parti politike e drejtuar fillimisht nga Vasil Melo, ka marrë pjesë në koalicione politike qeverisë si me Partinë Socialiste dhe me Partinë Demokratike. Qëndrimet e PBDNJ-së kanë pasur ulje e ngritje, këto janë reflektuar edhe me çështje të ndryshme të nxehta, siç ka qenë ajo e zgjedhjeve në Himarë, apo dhe çështjet e tjera si ajo e kufirit detar.
Por një ndër ndasitë e tjera ka qenë edhe futja e PDIU-së në koalicionin me PS-në. Kjo bëri që Dule të marrë vendimin për nxjerrjen e PBDNJ-së nga koalicioni i majtë qeverisës, duke iu bashkuar PD-së. Çështja çame, nxori nga koalicioni PBDNJ-në. Në zgjedhjet e fundit parlamentar PBDNJ doli në koalicion me PD. Por me zhvillimet e fundit, koalicionit politik opozitar iu bashkua dhe PDIU-ja.

Ky afrim nxori në skenë një tjetër përplasje mes PBDNJ-së dhe OMONIA-s. Shoqata i kërkonte zyrtarisht Dules që të largohej nga koalicioni i opozitës. “E çmojmë si lëvizje të panevojshme dhe të paargumentuar zhvillimin e djeshëm dhe tekstin shoqërues të marrëveshjes së koalicionit reciprok. Logjika e numrave shpie në spekulime jo të shëndetshme për jetën politike. Profili politik i PD-së i lidhur me përparimin e procesit të përfshirjes së Shqipërisë në familjen Euroatlantike është cenuar nga adoptimi i axhendës që minon marrëdhënien e qetë me Greqinë fqinje, mbështetës konsekuent të zhvillimit real të Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, ishte deklarata e OMONIA-s më 17 shtator të vitit të shkuar.
Por, duket se këto përplasje janë sheshuar tani, pasi si OMONIA dhe PBDNJ kanë të njëjtën linjë dhe po kërkojnë largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




