Komiteti Teknik i Ekspertëve konfirmoi se në vendin tonë ka dy raste me variantin e ri Omicron. Në vijim të kësaj është e rëndësishme që të dimë si do të trajtohet ky variant.
E pyetur nga Gazetasi.al për trajtimin që mund të marrë një person i prekur nga varianti i ri, Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino shpjegon se do të përdoret i njëjti trajtim si është përdorur edhe me variantet e tjera. Sipas Binos është e rëndësishme të përfshihen edhe trajtimet e reja të Covid-19, që parandalojnë format e rënda nëse merren në pesë ditët e para të simptomave.
Administrata e Barnave dhe Ushqimeve(FDA) në SHBA ka miratuar të mërkurën pilulën antivirale të Pfizer e cila është 90% efektive kundër shtrimeve dhe vdekjeve nga covid-19. Sipas të dhënave ilaçi është efektiv edhe ndaj variantit Omicron dhe është rekomanduar nga kompania të merret çdo 12 orë për pesë ditë, duke filluar menjëherë pas fillimit të simptomave.
Lidhur me marrjen e këtij trajtimi apo edhe të tjera të ngjashme autoritetet shëndetësore në vend nuk kanë marrë ende asnjë vendim.
Ndërkaq ekspertët theksojnë se është shumë e rëndësishme që qytetarët të vaksinohen sa më shpejtë dhe ata që kanë kaluar gjashtë muaj pas dozës së dytë të marrin edhe dozën e tretë!
Studimet deri më tani kanë treguar se simptomat më të zakonshme të këtij varianti janë: Hundët e bllokuara, dhimbja e kokës, lodhja dhe dhimbjet e muskujve tek pacientët që janë të vaksinuar. Ndërsa tek të pavaksinuarit përsëriten shenjat klasike të virusit duke nisur me temperaturë, kollë të vazhdueshme, e ndryshim/humbje e shijes dhe nuhatjes.
Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve shpjegoi se për të mbajtur të qëndrueshme situatën edhe pse me prezencën e variantit Omicron është tepër e rëndësishme që të respektohen masat që janë aktualisht në fuqi.
Shkencëtarët e huaj kanë raportuar se me të dhënat paraprake virusi është 5 herë më infektues se sa varianti Delta. Të dhënat e vendeve europiane ku varianti Omicron është prezent tregojnë se rastet e reja janë dyfishuar në pak ditë. Të dhënat e Mbretërisë së Bashkuar gjatë ditës së djeshme treguan një shifër rekord me rreth 100.000 raste në ditë të prekur nga variantet qarkulluese në vend.
Studiuesit shpjegojnë se deri më tani efikasiteti i vaksinimit bie në 70% nga varianti Omicron duke pasur më pak mundësi për të eliminuar format e rënda dhe vdekjet. Sipas të dhënave një dozë e tretë e ngre efikasitetin e vaksinave deri në 85%, por nuk ka të dhëna përfundimtare.
Njëjtë si për variantet e tjera shumë studiues thonë se njerëzit e vaksinuar që infektohen nga varianti i ri kanë më pak sasi virale për ta transmetuar tek të tjerët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.