Instituti Shëndetit Publik ka njoftuar ditën e sotme se në vendin tonë, është konfirmuar prezencë në qarkullim e varianteve BA1 i Omicron dhe të BA2.
“Nga laboratori i references në Gjermani, jemi informuar me prurjen e përgjigjeve të mostrave të dërguara për sekuencim, ku nga totali i 556 mostrave ka rezultuar se sundon varianti BA1 i Omicron, por kemi edhe prezencë në qarkullim dhe të BA2. Gjithashtu, në një % shumë të ulët dhe qarkullim të variantit delta”, thuhet më tej në njoftimin e ISHP.
Sipas të dhënave rezulton prezenca si më poshtë:
86%(476) janë mostra BA1
8.3%(46) janë mostra BA2
3% (18) janë mostra delta
Sipas të dhënave shpërndarja e rasteve BA2 është më e lartë në komunitet, krahasuar me rastet spitalore.
ISHP shpjegon se siç ka ndodhur dhe në vendet e tjera, ka gjasa që ky variant të kaloje në një variant dominues, kundrejt varianteve të tjera për shkak të trasmetueshmërisë së lartë.
Institucioni apelon duke thënë se për mbrojtjen e shëndetit, është i rëndësishëm vaksinimi me të treja dozat e vaksinës antiCOVID.
Alimehmeti: Ka kaluar 1 muaj, përgjigjen e kemi para
I pyetur nga Gazetasi.al për transmetueshmërinë e këtyre varianteve, epidemiologu Ilir Alimehmeti, shpjegon se, tashmë ka kaluar një muaj dhe përgjigjen e kemi para.
“Përderisa janë një muaj më përpara, e kemi një muaj që kemi pak shtrime e raste të reja, do të thotë se nuk ka pasur efekt”, shpjegon eksperti.
Sipas tij BA.1 dhe BA.2 janë shumë të shpejta dhe kurba e hipjes dhe zbritjes së infektimeve ndodh shumë shpejt. Alimehmeti shpjegon se të dhënat tregojnë që periudha e këtyre dy varianteve zgjat 6-javëve.
“Simptoma është shumë e ngjashme me BA.1, ka një gjasë me mendimin që ndoshta mund të ketë pak temperaturë me të lartë BA.2, kështu që pas qëndrimeve zyrtare të shteteve të avancuara, janë njëlloj”, shton mjeku.
Më tej ai shpjegon se transmetueshmëria nuk bën ndonjë diferencë, sepse kush ka kaluar BA.1 është parë që BA.2 nuk e kapërcen këtë mbrojtje. Të dhënat tregojnë se BA.2 kapërcen kalimin e imunitetit të varianteve para BA.1 apo vaksinave.
Alimehmeti shpjegon se, tashmë në botë janë shtuar edhe variante të reja si XE,XD, XS. Mjeku shton se XE ka 10% më shumë transmetueshmëri me BA.2, që është shumë e vogël diferenca.
Duke marrë shembull Anglinë, kur rasti i parë ishte më 19 janar dhe që prej asaj kohe deri më tani janë 700 raste gjithsej, Alimehmeti thotë se është një variant që nuk pritet të ketë efekt të lartë.
BA.2 tani përfaqëson gati 86% të të gjitha rasteve kudo, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Është edhe më i transmetueshëm, megjithatë provat e deri tanishme tregojnë se nuk ka më shumë gjasa të shkaktojë sëmundje të rëndë.
Ashtu si me nënvariantet e tjera në Omicron, vaksinat janë më pak efektive kundër BA.2 sesa kundër varianteve të mëparshme si Alpha ose lloji origjinal i koronavirusit dhe mbrojtja bie me kalimin e kohës. Megjithatë, sipas të dhënave nga OBSH, mbrojtja rikthehet me një vaksinë përforcuese, veçanërisht për parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




