Afrika e Jugut ishte vendi ku u identifikua për herë të parë varianti i ri Omicron dhe rastet atje janë rritur me shpejtësi.
Kjo ka filluar të shihet në vende të tjera dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se “po përhapet me një ritëm që nuk e kemi parë me asnjë variant të mëparshëm”.
Çfarë mund të mësojmë tjetër nga përvoja e Afrikës së Jugut?
A shkakton Omicron sëmundje më të lehtë?
Të dhënat për pranimet në spital për Covid në Afrikën e Jugut tregojnë se ato po rriten mjaft ndjeshëm në të gjitha provincat.
Por ato nuk po rriten aq shpejt duke pasur parasysh numrin e rasteve. Më pak pacientë aktualisht kanë nevojë për oksigjen dhe ventilatorë, dhe ata janë në spital për periudha më të shkurtra.
Discovery Health, një ofrues kujdesi shëndetësor atje, llogariti se të rriturit e infektuar herët në shpërthimin e Omicron kishin afërsisht 30% më pak gjasa për t’u shtruar në spital sesa ata të infektuar në valën e parë të Afrikës së Jugut.
Shkencëtarët e Afrikës së Jugut thonë se kjo nuk tregon se varianti në vetvete është më i butë.
Dallimi i madh nga valët e mëparshme është shkalla e vaksinimit dhe imuniteti natyror në popullatë.
Megjithëse dy doza vaksine ose një infeksion i mëparshëm duken shumë më pak efektive në ndalimin e njerëzve që të infektohen me variantin Omicron, ato ende duket se ofrojnë mbrojtje kundër sëmundjeve të rënda.
Vicky Baillie, shkencëtare në Johannesburg, tha se normat më të ulëta të trajtimit spitalor ishin ndoshta për shkak të njerëzve që kishin imunitet më të madh.
“Nuk ka asnjë provë se është një mutacion më pak virulent”, tha ajo.
OBSH paralajmëron se të dhënat që tregojnë se varianti mund të jetë më i butë mund të vijnë edhe nga fakti se numrat në spital janë të ulët dhe shumica e të pranuarve janë nën moshën 40 vjeç, pra në rrezik më të ulët për t’u sëmurë rëndë.
Ata mund të jenë në spital për arsye të tjera por spitalet e Afrikës së Jugut testojnë të gjithë ata që pranohen, kështu që ka shumë raste të lehta.
Mund të jetë gjithashtu për shkak se moshat mbi 60 vjeç në Afrikën e Jugut kanë shumë më tepër gjasa se popullsia mesatare atje për t’u vaksinuar, duke i mbrojtur ata nga sëmundjet e rënda.
Dhe Afrika e Jugut ka një popullsi të re, me një moshë mesatare prej 27.6 vjeç krahasuar me 40.4 në Mbretërinë e Bashkuar për shembull kështu që përvoja e saj me Omicron mund të mos jetë e njëjtë me vendet me popullsi më të vjetër.
A sëmuren më shumë fëmijë nga Omicron?
Raportet nga spitalet në zonat më të goditura të Afrikës së Jugut përfshirë provincën Gauteng, tregojnë një rritje të fëmijëve të shtruar në spital.
Disa e kanë vënë në dukje këtë, duke sugjeruar se kjo tregon se varianti mund të jetë më i rrezikshëm për të rinjtë.
“Por bazohet në numra shumë të vegjël dhe, si me të rriturit, ne përgjithësisht nuk mund të bëjmë dallimin midis fëmijëve të pranuar për shkak të Covid-it dhe atyre që zbulohen se kanë virusin pasi janë pranuar për diçka tjetër”, thotë Helen Rees në Johanesburg.
Baillie thotë se spitali i saj kishte parë një numër të vogël fëmijësh të pranuar në spital sepse ishin të sëmurë me Covid, por ata u shëruan në hapësirën prej dy deri në tre ditë.
Ajo gjithashtu thekson se këto të dhëna vijnë nga një zonë ku shumë fëmijë jetojnë në varfëri, kështu që ata mund të jenë të kequshqyer dhe në rrezik më të lartë se mesatarja nga virusi.
Përqindja e fëmijëve të shtruar në spitale me Covid në Gauteng gjithashtu ka rënë, nga një nivel i lartë prej 14% gjatë javës së parë në 8% në javën e tretë.
Cili është roli i vaksinimit kundër Omicron?
Afrika e Jugut ka shkallë relativisht të ulët të vaksinimit, me 26% të popullsisë së saj të imunizuar plotësisht, kështu që përvoja e saj mund të mos jetë drejtpërdrejt e krahasueshme me vendet më të vaksinuara. Por ka shkallë shumë të larta të imunitetit natyror.
Muge Cevik, në Universitetin e St Andrews, beson se rreziku i infektimit të të tjerëve reduktohet ndjeshëm përmes vaksinimit, sepse njerëzit do të sëmuren për periudha më të shkurtra dhe do të shërohen më shpejt, duke i dhënë më pak mundësi për t’u përhapur.
Por është e qartë se ky variant ende po përhapet me shpejtësi, madje edhe në popullatat më të vaksinuara.
Pak vaksina mund të ndalojnë plotësisht infeksionet, por kur bëhet fjalë për parandalimin e sëmundjeve të rënda, provat sugjerojnë se vaksinimi është ende duke bërë punën edhe pas këtij mutacioni të rëndësishëm.
Ajo që nuk është e qartë është saktësisht se sa.
Studimet paraprake në Afrikën e Jugut kanë treguar se vaksina Pfizer parandalon afërsisht 70% të shtrimeve në spital edhe pas dy dozave disa muaj më vonë, duke u rritur në mbi 90% pas një doze të tretë përforcuese.
Por Afrika e Jugut ka përdorur edhe vaksina të tjera, ku shumë prej tyre kanë marrë vaksinën Johnson&Johnson, kështu që nevojiten më shumë kërkime për të treguar se sa vaksina të ndryshme mbeten efektive.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje