Bota

‘Omicron’, Britania ngre nivelin e alarmit: Dozë e tretë për të gjithë të rriturit deri në dhjetor

Për të luftuar përhapjen në masë të variantit “Omicron”, Britania e Madhe do të caktojë dozën e tretë të vaksinave kundër Covid 19 në dispozicion për të gjithë qytetarët e moshës 18 vjeç e lart deri në fund të vitit.

Këtë e bëri të ditur kryeministri britanik Boris Johnson në fjalimin e tij drejtuar kombit, duke shtuar: “Mos mendoni se ky variant nuk do t’ju dëmtojë. Merreni përforcuesin tjetër për ju, për miqtë, për anëtarët e familjes, për të mbrojtur liritë tona, punën tonë”.

Johnson u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij që të vaksinohen me dozën e tretë, “sepse rastet e ‘Omicron’ dyfishohen çdo dy ose tre ditë. Dhe arma e vetme është marrja e përforcuesit për të rritur nivelin tonë të mbrojtjes.”

“Duhet të përballemi me një emergjencë të re”, vijoi kryeministri gjatë fjalës së tij në TV. “Përvoja jonë na bën të kuptojmë se një valë e re po vjen me Omicron”.

Rastet e variantit ‘Omicron’ në Britaninë e Madhe, siç tregohet nga raporti i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA), janë nënvlerësuar për shkak të vonesës diagnostikuese dhe nevojës për të renditur rastet e dyshuara për t’i konfirmuar ato: personat pozitivë të vërtetë të ‘Omicron’ janë me mijëra dhe në grafikët e hartuar nga Agjencia, ka një kurbë rritjeje më të pjerrët (dmth. më të shpejtë) të ‘Omicron’ krahasuar me javët e para të regjistruara nga variantet e tjera që janë shfaqur në MB.

Problemi me ‘Omicron’ është se sipas të dhënave të para, efikasiteti i vaksinës (drejt infeksionit simptomatik) pëson një ulje të ndjeshme në krahasim me “Delta”-n, aq sa doza e tretë është në fakt e nevojshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë