Shendet

Omicron 2 edhe në Shqipëri? Alimehmeti: Mund të kemi rritje të rasteve, por vdekshmëri të ulët

Rastet me Covid-19 po rriten në Europë, me një numër në rritje që i atribuohet prevalencës së një nënvarianti “të fshehtë” të llojit Omicron. Që nga fillimi i shkurtit infektimet u rritën në mënyrë dramatike në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Gjermania aktualisht ka shifra të larta ditore, me më shumë se 250,000 raste të reja në ditë. Franca, Zvicra, Italia dhe Holanda po shohin gjithashtu rritje të shifrave përsëri, shkaktuar edhe nga lehtësimi i masave dhe përhapja që në shkurt i një nënvarianti të ri të Omicron, i njohur si BA.2.
Zyrtarët e shëndetit publik dhe shkencëtarët po monitorojnë nga afër BA.2, i cili është përshkruar si një variant “të fshehtë” sepse ka mutacione gjenetike që mund ta bëjnë më të vështirë dallimin nga varianti delta duke përdorur testet PCR, krahasuar me variantin origjinal të Omicron, BA.1.
I pyetur nga Gazetasi.al mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti tha se varianti i ri që po konstatohet në Europë, duket që nuk paraqet forma të rënda duke parë numrin e vdekjeve. Sipas tij, ky është një fakt që tregon se çdo variant i ri që po del, nuk bën gjë tjetër vetëm se po dobëson fuqinë e virusit duke e çuar atë drejt zhdukjes.
“Do të na duhet pak kohë ta studiojmë këtë variant të ri, por problemi qëndron tek ne, te testimet që ende nuk kryhen. Nisur nga çfarë raportojnë këto vende, vdekshmëria është e ulët ndaj nuk duhet të shqetësohemi. Sa për shifrat e larta, kjo shpjegohet me relaksimin e masave anti-covid, ndaj janë të pritshme”, tha Alimehmeti.

Ilir Alimehmeti

Varianti omicron, lloji më i transmetueshëm deri më tani, kapërceu variantin Delta, i cili vetë zëvendësoi variantin Alfa. Shkencëtarët danezë besojnë se nën varianti BA.2 është më i transmetueshëm se varianti origjinal Omicron dhe tashmë po e kapërcen atë. Varianti BA.2 tani është përgjegjës për mbi gjysmën e rasteve të reja në Gjermani dhe përbën rreth 11% të rasteve në SHBA.
Shkencëtarët thonë se të jetosh i sigurt me Covid-19, nuk do të thotë të injorosh virusin. Sipas tyre, për sa kohë që virusi vazhdon të përhapet dhe të riprodhohet, veçanërisht në popullatat që janë të pavaksinuara ose ku imuniteti i shkaktuar nga vaksina ka rënë , “ai do të nxjerrë variante të reja dhe këto do të mbeten një kërcënim i vazhdueshëm edhe për ato vende me shkallë të lartë vaksinimi.”
Çfarë dimë për BA.2?
Varianti BA.2 po monitorohet nga afër nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organe të ngjashme të shëndetit publik në nivel kombëtar, duke përfshirë Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka thënë se nën varianti është “nën hetim”, por nuk është ende shqetësues.
Të dhënat fillestare tregojnë se BA.2 ka pak më shumë gjasa të shkaktojë infeksione në kontaktet shtëpiake, krahasuar me BA.1.
Aktualisht nuk besohet se varianti BA.2 shkakton sëmundje më të rënda ose mbart një rrezik të shtuar për t’u shtruar në spital, megjithatë nevojiten kërkime të mëtejshme për ta konfirmuar këtë, sipas një raporti parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar të botuar javën e kaluar.
Shtrimet në spital janë rritur gjithashtu në një numër vendesh evropiane pasi infeksionet Covid-19 janë rritur javët e fundit, por vdekjet mbeten shumë më të ulëta se në majat e mëparshme falë mbulimit të gjerë të vaksinave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë