Patricia Espinosa, sekretare ekzekutive e Konventës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike thotë se me krizat e emigracionit dhe mungesat e ushqimit që sjellin konflikt dhe kaos, nëse vendet nuk arrijnë të trajtojnë si duhet emetimet e gazeve serrë, siguria dhe stabiliteti global mund të prishen.
“Ne po flasim për ruajtjen e stabilitetit të vendeve, ruajtjen e institucioneve që kemi ndërtuar gjatë kaq shumë viteve, ruajtjen e qëllimeve më të mira që vendet tona kanë vendosur së bashku. Nëse nuk merren masa, shumë shpejt do të ketë flukse masive të njerëzve që zgjedhin të zhvendosin”, tha ajo.
Ajo thotë se mund të ketë më pak ushqim, kështu që ndoshta mund të ketë një krizë në sigurinë ushqimore. Kjo do të bënte që më shumë njerëz të vuajnë nga situata të tmerrshme, të ketë më shumë grupe terroriste dhe më shumë burime jostabiliteti.
Paralajmërimet jashtëzakonisht të forta nga Espinosa vijnë ndërsa liderët botërorë bëjnë përgatitjet e tyre përfundimtare për bisedimet e Cop26 në Glasgow. Udhëheqësit e vendeve të G20 të ekonomive më të mëdha në botë do të mblidhen në Romë fundjavën e ardhshme për dy ditë bisedimesh paraprake, më pas do të fluturojnë për në Glasgow, për t’u bashkuar me rreth 100 krerët e tjerë të qeverive për bisedimet e klimës Cop26 më 1 nëntor.
Espinosa, një ish-ministre në qeverinë meksikane mori rolin e sekretares ekzekutive të OKB-së për klimën në 2016. Ajo ka një rol të madh në Konferencën Cop26 ku gjatë dy javëve, afro 200 vende të botës do të bëjnë bisedime për shkurtime të mëdha të emetimeve të gazeve serrë.
Disa liderë kryesorë, duke përfshirë Xi Jinping, presidentin e Kinës, tani emetuesi më i madh në botë i dioksidit të karbonit dhe Vladimir Putin i Rusisë nuk ka gjasa të marrin pjesë. Espinosa tha se këto mungesa nuk do të parandalojnë një rezultat të suksesshëm, duke shtuar se edhe pse krerët e disa vendeve nuk do të jenë të pranishëm, shteti i tyre është përfshirë në bisedime.
Deri më tani, angazhimet që vendet kanë marrë për të reduktuar emetimet nuk arrijnë një ulje prej 45%, që shkencëtarët thonë se nevojitet deri në vitin 2030 për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius.
Ajo shprehu gjithashtu mundësinë që nëse një mangësi mbetet në Glasgow, siç ka të ngjarë, midis shkurtimeve të nevojshme dhe atyre të ofruara, vendeve mund t’u kërkohet të rishikojnë planet e tyre së shpejti, edhe pse kjo ka të ngjarë të jetë e papëlqyeshme për shumë njerëz. Rishikimet supozohet të bëhen çdo pesë vjet, është gjashtë këtë herë pasi Cop26 u vonua me një vit për shkak të Covid.
“Ndoshta nuk është diçka e pëlqyeshme për disa përfaqësues të qeverive që të kthehen në vendin e tyre dhe të rishikojnë planet por kjo është sfida më e madhe me të cilën po përballet njerëzimi, kështu që ne nuk kemi një opsion dhe ne e dimë se situatat ndryshojnë, teknologjitë ndryshojnë, proceset ndryshojnë, kështu që gjithmonë ka vend për përmirësim”, tha Espinosa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



