Shqipëria u rreshtua sërish në krah të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Të martën, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për të zgjedhur vendin që do të kryesonte atë që njihet si “G77”, grup me 77 vendet në zhvillim dhe më i madhi brenda OKB-së.
Mes kandidaturave të paraqitura ishte edhe Autoriteti Palestinez. Mungesa e statusit të anëtarit me të drejta të plota në OKB nuk e penalizoi Palestinën në këtë drejtim. Kandidatura e saj fitoi me 146 vota pro, 15 abstenime dhe vetëm tre kundër.
Mes vendeve që votuan pro ishte edhe Shqipëria, që u rreshtua në krah të vendeve të BE-së, ndërsa kundër ishin veç Izraelit vetëm SHBA dhe Australia.
Vota e Shqipërisë në favor dhe kundër qëndrimit amerikan, ashtu si në rastin e votimit për Jeruzalemin është interpretuar politikisht në Tiranë. Opozita e quan një “thikë pas shpine” për SHBA-në.
“Të tilla veprime, pa asnjë dyshim, veçse bëjnë të dobësohet mbështetja e madhe dhe thelbësore për kombin tonë nga ShBA. Të vihen në rrezik çështjet tona madhore kombëtare, përfshirë dhe të Kosovës”, shkruan në Facebook, Tritan Shehu.
Menjëherë pas votimit, përfaqësuesit e Uashingtonit e cilësuan një vendim të gabuar zgjedhjen e Palestinës në bllokun më të madh të vendeve në zhvillim brenda OKB-së. Por, gjuha e përdorur nga Nikki Haley këtë herë ishte më e zbutur se ajo pas votimit të rezolutës që dënonte vendimin e SHBA për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit. Në atë kohë, SHBA paralajmëronte vendet që iu kundërvunë me “pasoja të drejtpërdrejta”.
“Palestinezët nuk janë vend anëtarë të OKB-së. As një shtet nuk është. Gabimi i OKB-së sot minon shpresat për paqe dhe ushqen iluzionin e disa udhëheqësve palestinezë se mund të përparojnë në agjendën e tyre pa bisedime direkte me Izraelin”, deklaroi ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley.
Kryesimi i G77 i jep mundësi Autoritetit Palestinez që gjatë vitit 2019, përsa kohë do të ketë kryesimin e këtij grupi, të gëzojë të drejtat e plota si një vend anëtar i OKB-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




