Gazeta Si – Organizata e Kombeve të Bashkuara të Aviacionit Civil (ICAO) ka deklaruar se Rusia është përgjegjëse për rrëzimin e fluturimit MH17 më 17 korrik 2014 në Ukrainë, duke vrarë 298 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Bordi i drejtorëve të organizatës me qendër në Montreal, Kanada ka gjetur se ankesat e paraqitura nga Australia dhe Holanda për rrëzimin e aeroplanit të “Malaysia Airlines” ishin “të bazuara në fakte dhe ligj”.
Ky është vendimi i parë i këshillit të organizatës “mbi meritat e një mosmarrëveshjeje midis shteteve anëtare”.
“Federata Ruse ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar ajror pas rrëzimit të fluturimit MH17 të ‘Malaysia Airlines’ në vitin 2014”, tha agjencia në një deklaratë.
Më 17 korrik 2014, avioni “Boeing 777” i “Malaysia Airlines” (që fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur) u rrëzua në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, ku rebelët separatistë pro-rusë po luftonin forcat ukrainase.
Avioni u godit nga një raketë tokë-ajër BUK e prodhimit rus. Dy të tretat e viktimave ishin holandezë, së bashku me 38 australianë dhe rreth 30 malajzianë, me shumë viktima me shtetësi të dyfishtë.
Presidenti i atëhershëm ukrainas, Petro Poroshenko e quajti incidentin një “akt terrorist”.
Rebelët pro-rusë në zonë pretenduan se avioni ishte rrëzuar nga një avion ushtarak ukrainas dhe presidenti rus Vladimir Putin tha se Ukraina “mbart përgjegjësinë”.
Të nesërmen, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama tha se avioni ishte rrëzuar nga një raketë e lëshuar nga territori i kontrolluar nga separatistët dhe se rebelët nuk ishin qenë në gjendje ta godisnin pa mbështetjen ruse.
Në vitin 2022, një gjykatë holandeze dënoi tre burra me burgim të përjetshëm për rrëzimin e avionit, duke përfshirë dy rusë, por Moska, e cila gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje në tragjedi, refuzoi t’i ekstradonte ata.
Qeveritë e Australisë dhe Holandës mirëpritën vendimin e agjencisë së OKB-së. “Ky është një moment historik në ndjekjen e së vërtetës, drejtësisë dhe përgjegjësisë për viktimat e rrëzimit të avionit MH17, familjet dhe të dashurit e tyre”, tha qeveria australiane në një deklaratë.
Ajo i bëri thirrje agjencisë që “të lëvizë me shpejtësi për të përcaktuar mjetet juridike” për shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Rusia.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që në fund të marrë përgjegjësinë për këtë akt të tmerrshëm dhune dhe të bëjë ndryshime për sjelljen e saj të turpshme, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar”, shtoi qeveria.
Hetuesit ndërkombëtarë pezulluan hetimin e tyre për rastin vitin e kaluar, duke thënë se nuk kishte prova të mjaftueshme për të identifikuar të dyshuarit e tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




