Treg

OKB: Pastrimi i parave rriti çmimet e banesave në Shqipëri. Strehimi, i papërballueshëm për qytetarët

Nga Gazeta 'SI' - Komisioni ekonomik pranë OKB-së, ka reflektuar në një dokument shqetësimet për tregun imobiliar në Shqipëri, si një vend kandidat për në BE.

Në një raport-profil për këtë sektor, OKB liston disa problematika, ndër të cilat edhe burimin e financimit të tyre, duke pranuar mundësinë e pastrimit të parave si një faktor që rriti edhe çmimet.

“Kredia vetëm tani ka nisur të rritet. Kjo për shkak të informalitetit të lartë në sektorin e ndërtimit, që kryhet me para cash dhe dërgesa nga emigrantët. Ndërtesa e formalizuara kanë çmime të larta dhe rreth 32% e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjysmën e parë të 2021 janë blerë nga jorezidentë. Pastrimi i parave ka shumë mundësi të ketë qenë një faktor kontribues në rritjen e çmimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare”, thuhet në dokument.

Lidhur me këtë, OKB i rekomandon qeverisë shqiptare të rrisë transparencën dhe të ketë një regjistër të dhënash për parandalimin e abuzimeve apo pastrimit të parave.

Duke përmendur niveli e lartë të ndërtesave informale apo të ndërtuara vetë, raporti thotë se shumica e shqiptarëve e posedojnë banesën ku jetojnë dhe sektori i qirasë zë një përqindje shumë të vogël të tregut, i pakonkurrueshëm.

OKB përmend se Tirana është në mesin e 7 qyteteve europiane me kostot më të larta të strehimit duke e bërë atë të papërballueshëm për grupet me të ardhura të ulëta aksesin në tregun e banesave.

Po ashtu, theksohet se Shqipëria është e fundit ndër ekonomitë e Europës Lindore për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e banesave, sidomos atyre në pallate me shumë hyrje. Këto lloj pallatesh janë të përqendruara në zonat urbane dhe ndikojnë shumë në sigurinë dhe estetikën e një qyteti.

Një pengesë tjetër që vë në pikëpyetje cilësinë e ndërtimit në Shqipëri, sipas OKB, është numri i lartë i ndërtesave të ndërtuara informalisht, apo nga vetë qytetarët. Raporti thekson se politikat e strehimit, mbeten një politikë jo-primare për qeverinë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë