Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB), Antonio Guterres thotë se nxitimi për të përdorur lëndë djegëse fosile për shkak të luftës në Ukrainë është “çmenduri” dhe kërcënon objektivat globale të klimës. Pushtimi i Ukrainës ka nxitur një rritje të shpejtë të çmimeve të qymyrit, naftës dhe gazit ndërsa vendet përpiqen të zëvendësojnë burimet. Por Antonio Guterres paralajmëron se këto masa afatshkurtra mund të ndikojnë në objektivat e klimës të vendosur në koonferencën e quajtur COP26.
Ai gjithashtu u bën thirrje vendeve, përfshirë Kinën, të heqin plotësisht qymyrin deri në vitin 2040.
Shkencëtarët besojnë se mbajtja e temperaturave globale nën 1.5 C këtë shekull është thelbësore për të kufizuar shkallën e dëmtimit nga ngrohja globale. Që kjo të jetë e mundur, prodhimi i karbonit duhet të përgjysmohet deri në fund të këtij viti. Në vend të kësaj, siç thekson Guterres, emetimet janë rritur me 14%.

“Problemi nuk u zgjidh në Glasgow. Në fakt, problemi po përkeqësohet,” thotë zoti Guterres, në një fjalim të mbajtur në Samitin e “Economist Sustainability”.
Evropa dhe Britania e Madhe dhe vende të tjera po kërkojnë të shkurtojnë varësinë e tyre nga nafta dhe gazi rus këtë vit. Shumë po i drejtohen qymyrit ose importeve të gazit natyror të lëngshëm si burime alternative, por Guterres paralajmëron se kjo qasje afatshkurtër paralajmëron rrezik të madh për klimën.
“Kjo është çmenduri. Varësia ndaj lëndëve djegëse fosile është një shkatërrim i mjedisit i siguruar paraprakisht. Vendet duhet të “përshpejtojnë fazën e largimit nga qymyri dhe të gjitha lëndët djegëse fosile dhe të zbatojnë një tranzicion të shpejtë dhe të qëndrueshëm të energjisë”, shtoi Guterres.
Ai thotë se një zgjidhje është ndërtimi i koalicioneve për të ndihmuar ekonomitë e mëdha në zhvillim që të largohen me shpejtësi nga karburantet fosile.

Gjatë konferencës së COP26, disa vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA dhe të tjera ranë dakord për një program financimi prej 8.5 miliardë dollarësh për t’i dhënë fund varësisë së Afrikës së Jugut nga qymyri.
Guterres thotë se pjesët po bashkohen për koalicione të ngjashme në Indonezi, Vietnam dhe gjetkë. Paratë janë një nga problemet kryesore në adresimin e çështjes së klimës dhe Guterres ka bërë thirrje për një rritje të madhe të financave për të ndihmuar vendet të përshtaten me temperaturat në rritje. Ai thekson se për momentin, një në tre persona globalisht nuk mbulohet nga sistemet e paralajmërimit të hershëm për fatkeqësitë – në Afrikë gjashtë në dhjetë persona nuk janë të mbrojtur. Në vitin 2022, argumenton ai, vendet më të pasura duhet të përmbushin premtimin e tyre.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



