Ana e errët

Oficeri denoncon armën e shërbimit si të vjedhur, por kolegët ia gjejnë mes teshave brenda një xhepi!

Gazeta Si – Ngjarjet e shumta mbi humbjen e armëve të shërbimit të punonjësve të policisë, disa herë plagosje aksidentale të të afërmeve të tyre, apo edhe vetëvrasje, konfirmojnë se policia nuk e ndjek rregulloren e dorëzimit të armës së shërbimit në mbyllje të turnit.

Por një ngjarje paradoksale e ndodhur në kryeqytet, konfirmon gjithashtu se shumë oficerë që e marrin armën e shërbimit në banesë, nuk e kyçin atë në kasafortë, por e lënë nëpër dollapë apo në vende rastësore. Kjo i ndodhi një polici, i cili megjithëse sipas llogarive të tij ishte i kujdesshëm për ta fshehur pistoletën e punës, një incident që i ndodhi nga kjo pakujdesi i ka dhënë atij mësimin më të madh të mundshëm.

Për disa orë me radhë, polici me inicialet N.N., ishte vërtet në hall nga humbja e armës së shërbimit, saqë pasi kontrolloi imtësisht dhe nuk e gjeti kurrkund, u bind se duhej të denonconte dhe të kërkonte ndihmën e kolegëve. Por kur ata i shkuan në shtëpi për të kryer detyrën dhe panë cep më cep, kuptuan se ai nuk kishte qenë i kujdesshëm në kontrollin e xhepave, aty ku ai e kishte fshehur dhe nuk e mbante mend.

Por sidoqoftë, kallëzimi që ai kreu për humbje të armës, është e pamundur të kthehet pas, sepse një agjent ka mbajtur shënim denoncimin e policit N.N., që rrëfeu se si hetoi privatisht për armën e shërbimit, kujtoi gjithashtu itinerarin se ku kishte qenë dhe pasi  kaloi fije për pe çdo gjë në banesë, u dorëzua duke kërkuar ndihmë dhe hetime nga komisariati numër 4. 

Punonjësi i policisë, sipas burimeve të Gazetasi.al, kallëzon se pasi përfundoi shërbimin, u kthye menjëherë në banesë. “Hoqa rrobat e shërbimit dhe pistoletën tip ‘Makarov’, pasi i hoqa krehrin, e vendosa në çantë, duke e futur poshtë rrobave. Arma kishte shtatë fishekë. E futa në një sënduk rrobash në kuzhinë”, – deklaron në shkresën e parë efektivi N.N.

Ai veçon në deklaratë, se më pas u drejtua për në shtëpinë e nënës së tij, ku ka qëndruar gati 40 minuta. “U ktheva në shtëpi dhe mbasi pushova pak, dola për kafe me një shok timin koleg. Më pas u ktheva në banesë dhe nuk dola më”, – shton punonjësi i policisë.

Ai ka vijuar rutinën familjare deri në momentin që e kuptoi se arma “Makarov” ishte zhdukur. “Të nesërmen u bëra gati për në punë, vesha rrobat e shërbimit dhe kur u ula të marr pistoletën, vërejta se arma nuk ishte aty”. Në këtë moment, kallëzuesi u thotë kolegëve se kontrolloi gjithandej.

“Pyeta bashkëshorten se mos pa dashje e kishte lëvizur, por ajo m’u përgjigj që s’dinte asgjë”, – shton polici. Më pas ai ka kërkuar ngado dhe sërish s’ka vërejtur asnjë gjurmë të armës.  

“Njoftova menjëherë komandantin e shërbimit, duke i raportuar një më një ç’më kishte ngjarë dhe që pistoletën ma kishin vjedhur”, – vijon në kallëzim oficeri i policisë, të cilit i është kërkuar në telefon që të paraqitet menjëherë në komisariat dhe të kryejë kallëzim.

“Kur më pyetën se çfarë dyshoja”, – oficeri u thotë kolegëve se ishte i bindur që ia kishin vjedhur, pasi në banesë nuk gjendej arma e punës.

“A keni vërejtur dëmtime të dyerve”, e pyesin oficerët dhe kush gjendej në shtëpi atë ditë? “Në shtëpi nuk ishte askush dhe dyert por edhe dritaret nuk ishin të dëmtuara”, – thekson N.N.

Duke mbajtur proces-verbal, grupi i hetimit ka shënuar numrin e saktë të fishekëve dhe numrin e serisë së armës, e së bashku me të edhe dëshminë. Por më pas, të bindur se ishin përpara një ngjarjeje kriminale dhe duhet të zbulonin gjurmët e hajdutit, grupi hetimor i komisariatit  numër 4, ka bujtur në banesën e N.N., për të kryer këqyrjen përkatëse.

“U shkua në vendin e ngjarjes, – deklaron një burim i Gazetasi.al, – dhe nisi këqyrja e banesës. Por pas kontrolleve të policisë, arma e shërbimit të kolegut tonë u gjet midis teshave, e fshehur brenda një xhepi. Arma ishte tip ‘Makarov’, e rregullt, pa dëmtime dhe me fishekët që raportoi kolegu”, – shkruhet në dokumentin që iu tregua Gazetasi.al.

Në përfundim të kësaj situate, kolegët e policit janë ftuar prej tij për një kafe, ku megjithëse nuk ka pasur më tension dhe alarm prej tij, policët e kanë shfrytëzuar momentin që ta kryejnë detyrën deri në fund.

Në një procesverbal të dytë, oficerët e ripyesin kolegun, duke shkruar në proces-verbal: “Efektivi N.N., u ripyet  dhe konfirmoi se ishin ato rrobat, ku e kishte vendosur, por që nuk ishte treguar i kujdesshëm dhe për shkak të alarmimit nuk e kishte vërejtur armën mes teshave”.

Me kaq, kjo histori u mbyll dhe nuk përfundoi si shumë raste të tjera, kur policët i harrojnë pistoletat në tualete dhe pastaj i raportojnë të humbura, ose i lënë nëpër dollapë, duke e kthyer shtëpinë në vatrën e ndonjë incidenti aksidental, kryesisht me fëmijët e tyre.

Rregullorja e policisë, sidoqoftë urdhëron që në përfundim të shërbimit, efektivët duhet ta kyçin armën në një dollap metalik në komisariat, që shumë rrallë ndodh dhe zbatohet, pasi kushtet nuk janë konsideruar optimale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë