Politike

‘Oferta e Britanisë s’kishte një numër fiks’. Rama tregon si refuzoi Boris Johnson për emigrantët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën britanike “Financial Times” ku ka folur edhe njëherë për marrëveshjen me Italinë për emigrantët.

Kreu i qeverisë shprehet se kjo marrëveshje me Italinë është e vetmja, për shkak të miqësisë mes dy vendeve, ndërkohë që ajo nuk do të realizohet me shtete të tjera pavarësisht kërkesave të tyre në rritje.

“Marrëveshja e Shqipërisë për emigrantët me Italinë është  ‘një herë’ pavarësisht interesit nga qeveritë e tjera” ka thënë mes rreshtash kryeministri shqiptar Edi Rama

Roma dhe Tirana ranë dakord vitin e kaluar për të ngritur qendra në Shqipëri, ku do të regjistrohen disa mijëra emigrantë të nisur drejt Italisë dhe më pas do të presin që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga zyrtarët italianë.

“Është një herë, 100 për qind një herë. Qeveri të tjera janë drejtuar për të parë nëse mund të përsërisnin marrëveshjen me Italinë. Unë thash jo. Sepse nuk ka kuptim për mua. Italia është shumë e veçantë për ne, më shumë se një marrëdhënie strategjike. Është një miqësi e rrënjosur thellë”, shprehet Rama.

Partnerët perëndimorë janë përpjekur të marrin ndihmën e Shqipërisë me emigrantët që kur ajo mirëpriti mijëra afganë të lënë të ekspozuar ndaj talebanëve.

“Boris Johnson më telefonoi dhe më tha, lavdëroj udhëheqjen tuaj, le të bëjmë diçka së bashku”, kujton Rama. “Le të kemi një marrëveshje që Britania të sjellë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm për t'i mbajtur atje, për t'i përpunuar. Unë thashë, më falni, kjo nuk është e mundur”, sqaron kryeministri.

Ndryshe nga marrëveshja italiane, e cila është për strehimin deri në 3,000 njerëz në të njëjtën kohë, oferta e Mbretërisë së Bashkuar nuk ishte "një numër fiks", tha Rama. “Ishte për të gjithë ata që vijnë në Britani, si një tranzit. Unë thashë se nuk ka mundësi. Pastaj, kishim të tjera që nuk do t'i përmend”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë