Zhurma e shkaktuar në ditët e para të gushtit pas deklaratave të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që foli për korrigjim kufijsh me Serbinë i la vendin heshtjes së pushimeve verore. Por, qetësia aktuale duket se është një qetësi para stuhisë.
Mediat serbe paralajmërojnë se me hyrjen e shtatorit nis edhe një sezon i nxehtë politik e diplomatik. “Blic”, duke iu referuar burimeve të veta nga Presidenca serbe shkruan se përgjatë këtij muaji, Aleksandër Vuçiç do të jetë i ngarkuar në një ofensivë të pashembullt me takime lobuese ekonomike dhe politike.
Fillimisht parashikohet një takim me Hashim Thaçin në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve. Vuçiç do të udhëtojë më pas në Rusi.
“Blic” thotë se është rënë dakort për një takim me Putinin dhe detaji i vetëm që pritet të përcaktohet mbetet vetëm vendndodhja dhe janë dy qytetet që po diskutohet, e para Moska dhe i dyti Vladivostoku.
“Vuçiç do të konsultohet me Vladimir Putinin para punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që mbahen nga data 24 deri më 28 shtator në Nju Jork”, thotë “Blic”.
Pikërisht gjatë punimeve të Asamblesë, mediat serbe thonë se Vuçiç do të takohet me zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trump, madje nuk përjashtojnë as mundësinë e një takimi me vetë Presidentin amerikan.
Përveç takimeve me tematika ekonomike, siç është ai në një forum ekonomik në Kinë, në të gjitha takimet e tjera kryetemë e diskutimeve të Aleksandër Vuçiç do të jetë Kosova dhe debati i ndezur për ndryshimin e kufijve.
Për të parapërgatitur qytetarët e vet për një marrëveshje të mundshme me Prishtinën “Blic” shkruan se Vuçiç do të zhvillojë një vizitë në Kosovë, ku do të takohet me serbët atje.
Javën e kaluar, përmes një komenti të shkurtër për mediat vendase, Presidenti serb doli hapur në favor të delimitimit të vijës kufitare me Kosovën në baza etnike.
“Unë nuk fshihem, edhe pse e di që shumë serbë nuk do të jenë dakort me mua. Por, na duhet një marrëveshje me shqiptarët, sepse nëse nuk e gjejmë një të tillë, pas pak vitesh në Serbi do të kemi 1 milionë banorë më pak”, tha ai.
Vuçiç nuk e përcaktoi me emër, por dukshëm i referohej veriut të Kosovës, kur foli për një territor që nuk është në kontroll të askujt.
“Të kemi një territor që nuk dihet se kush e kontrollon dhe kujt i përket është gjithmonë një burim konfliktesh të mundshme. Unë nuk e fsheh një synim të tillë, por nuk dihet nëse këtë do ta pranojë populli serb, apo jo dhe nëse do të ketë sukses, kjo nuk varet vetëm nga Serbia”, deklaroi Presidenti serb.
Ideja e mbështetur nga Vuçiç dhe Thaçi ka gjetur miratimin në heshtje si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington, por, të paktën nga gjuha që është përdorur deri më tani nga të dyja palët një marrëveshje e mundshme duket shumë e largët.
Në Prishtinë, Hashim Thaçi thotë se kur flet për korrigjim kufijsh nënkupton vetëm bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën dhe se nuk do të pranojë një marrëveshje që i jep Serbisë veriun e vendit.
Në Beograd mendojnë ndryshe. Tezat e propozimet e hedhura për konsum publik janë nga më të ndryshmet, por njëra që bie në sy është ajo e Qendrës së Studimeve Euro-Atlantike. Kjo qendër, në një raport prej 40 faqesh propozon kalimin e veriut të Kosovës për Serbinë, por edhe mbajtjen e Luginës së Preshevës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.