Ekonomi

OECD e parashikon me rënie ekonominë botërore. Situata më e vështirë në Europë

Organizata për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim, OECD, ka parashikuar rënie në ekonominë botërore për vitin 2023, ndërsa thekson se në gjysmën e dytë të 2022-shit, rritja e saj ndaloi.

Në raportin e quajtur “Po paguajmë çmimin e luftës”, OECD parashikon se ekonomia globale në 2023-shin mund të rritet deri në 2.2% dhe se PBB-ja botërore do të jetë 2.8 trilionë dollarë më pak se një vit më parë.

Rritja ekonomike e SHBA-së do të ngadalësohet me 0.5% dhe ajo e Eurozonës me 0.25%.

Organizata shpjegon se masat monetare mund të lehtësojnë presion inflacioniste nëpër vende, por rritja e çmimeve të energjisë dhe pagave, do të pengojnë rënien e inflacionit. Nga 8.2% mesatarja, në vitin 2023, inflacioni parashikohet të arrijë 6.5%.

Por reduktime të mëtejshme të hidrokarbureve, sidomos gazit mund të ulin rritjen ekonomike të Europës me 1%.

“Mbështetja fiskale është e domosdoshme për të ulur ndikimet e kostove të larta të energjisë tek familjet dhe bizneset. Por kjo duhet të jetë e përkohshme, duke targetuar konsumatorët më vulnerabël dhe të nxisë incentive për kursim energjie”, -shkruhet në raport.

OECD i bën thirrje qeverive që të sinkronizojnë qëllimet e tyre për sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e klimës. Po ashtu kërkon edhe bashkëpunim ndërkombëtar për të mbajtur hapur tregjet agrikulturore dhe nevojat emergjente.

Situata është më e zymtë në Europë, sipas raportit, ku bizneset janë në stanjacion dhe konsumatorët pesimistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë