Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran kërkoi përmirësimin e ligjit zgjedhor në vend.
Ai inkurajoi nisjen sa më të shpejtë të punës së komisionit për reformën zgjedhore, duke shtuar se legjislacioni aktual sipas tij ka ende probleme.
Për këtë ai tha se të gjitha partitë politike duhet të bien dakord menjëherë për nevojën e ndryshimeve por ndërkohë refuzoi të komentojë debatin politik në vend.
“Ka disa probleme të lidhura me ligjin e zgjedhjeve që nuk është akoma sipas nesh ku duhet të jetë. Ky është një rekomandim që bëhet nga misioni i vëzhgimit të ODIHR çdo herë. Kësaj here unë kam përshtypjen që mesazhin e ODIHR-it e kanë dëgjuar. Ne nuk ndërhyjmë në debatin politik këtu, nuk është roli ynë. Por unë flas për të gjitha partitë politike në parlament dhe kemi përshtypjen se të gjithë janë dakord që ky ligj, reforma është e nevojshme dhe do të ndihmojnë për të përmirësuar“, tha amabsadori.
Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se probleme me zgjedhjet kanë edhe vende të tjera, jo vetëm Shqipëria.
“Mos mendoni se problemet që ekzistojnë më zgjedhjet këtu në Shqipëri ekzistojnë vetëm në Shqipëri. Probleme me zgjedhjet ka kudo. Edhe në Francë në vendin tim, ndonjëherë mund të ketë probleme. Ne jemi këtu jo për të gjykuar, jo për të akuzuar, por jemi për të ndihmuar për përmirësimin e sistemit zgjedhor. Unë jam nga ata të huaj që e njoh vendin tuaj kaq mirë, sepse kam punuar këtu. Gjatë këtyre 30 viteve ka pasur progres sa i përket organizimit dhe besimit të njerëzve tek zgjedhjet. Zgjedhjet nuk duhet të konsiderohen vetëm si një pikë, një moment, një ditë çdo katër vjet. Zgjedhjet janë proces në vazhdimësi”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



