Mbi gjysmë miliardë njerëz në botë kanë kaluar cakun e varfërisë ekstreme në vitin e kaluar, ndërkohë që kanë paguar për kostot shëndetësore nga xhepat e tyre, gjatë kulmit të pandemisë së Covid-19, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore. Pandemia ka ndërprerë shërbimet shëndetësore në të gjithë botën dhe ka shkaktuar krizat më të këqija ekonomike që prej 1930, duke e bërë më të vështirë për njerëzit që të paguajnë për kujdesin shëndetësor, sipas një deklarate të përbashkët nga të dy organizatat.
“Të gjithë qeveritë duhet të përshpejtojnë menjëherë përpjekjet për të siguruar se secili prej banorëve të ketë akses në shërbime shëndetësore, pa frikën e pasojave financiare”- tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai i bëri thirrje qeverive që të rrisin vëmendjen tek sistemet e kujdesit shëndetësor dhe të qëndrojnë në një rrugëtim drejt mbulimit universal shëndetësor, që OBSH e përcakton që kushdo të marrë akses në shërbime shëndetësore pa vështirësi financiare.
Kujdesi shëndetësor është një çështje e madhe politike në SHBA, një nga pak vendet e industrializuara që nuk ka mbulim universal për banorët. Në të gjithë botën, pandemia ka vështirësuar situatën dhe mbulimi me imunizim ka rënë për të parën herë në 10 vite, ndërkohë që vdekjet na malaria dhe tuberkulozi janë rritur. “Brenda një hapësire të kufizuar fiskale, qeveritë duhet të bëjnë zgjedhje të vështira për të mbrojtur dhe rritur buxhetin për shëndetësinë”- tha Juan Pablo Uribe, drejtor global për shëndetësinë dhe ushqimin tek Banka Botërore.
Sipas OBSH, kriza financiare që erdhi nga pandemia ishte dhe më e rëndë se ajo e viteve 1930. Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, grupi i Bankës Botërore ka shpërndarë mbi 157 miliardë dollarë për të luftuar ndikimet shëndetësore, ekonomike dhe sociale të pandemisë, përgjigja më e shpejtë dhe më e madhe ndaj krizës në historinë e saj. Financimi po ndihmon më shumë se 100 vende të forcojnë gatishmërinë ndaj pandemisë, të mbrojnë të varfërit dhe vendet e punës dhe të fillojnë një rimëkëmbje miqësore me klimën. Banka po mbështet gjithashtu mbi 60 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, më shumë se gjysma e të cilave janë në Afrikë, me blerjen dhe vendosjen e vaksinave kundër Covid-19, dhe po vë në dispozicion 20 miliardë dollarë financim për këtë qëllim deri në fund të vitit. 2022.
Burimi: OBSH/ Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.