Tridhjetë herë më shumë raste të fruthit janë regjistruar në Europë mes janarit dhe tetorit 2023, në krahasim me vitin 2022. Kjo deklaratë ka ardhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë , duke bërë thirrje për një fushatë të intensifikuar vaksinimi.
“Midis janarit dhe tetorit 2023, më shumë se 30,000 raste u regjistruan nga 40 nga 53 vendet në rajon”, i cili shtrihet në Azinë Qendrore, tha agjencia e OKB-së.
Në vitin 2022 janë regjistruar 941 raste. Kazakistani dhe Rusia janë vendet më të prekura me më shumë se 10,000 raste secila. Me 183 raste, Britania e Madhe është vendi i Evropës Perëndimore ku rishfaqja e sëmundjes, e cila mendohej se ishte çrrënjosur në vitin 2021, është më e qarta.
“Ne gjetëm në rajon jo vetëm një rritje 30-fish të rasteve të fruthit, por edhe gati 21,000 shtrime në spital dhe pesë vdekje për shkak të fruthit. Është alarmante”, tha drejtori rajonal i OBSH-së.
Rishfaqja e kësaj sëmundjeje virale shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime kërcënuese për jetën dhe është e transmetuar nga ajri, i atribuohet rënies së mbulimit të vaksinimit gjatë viteve të Covid.
Më shumë se 1.8 milionë foshnja nuk u vaksinuan kundër fruthit midis viteve 2020 dhe 2022, sipas OBSH-së, e cila po bën thirrje për intensifikimin e fushatave ndërgjegjësuese në komunitetet e pavaksinuara.
Në nivel lokal, është e rëndësishme që të paktën 95% e fëmijëve të vaksinohen për të shmangur shpërthimet e mundshme kur të futet virusi. Në vitin 2022, vetëm 92% e fëmijëve në Evropë kishin marrë dozën e dytë të vaksinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




