Shendet

OBSH ngre alarmin: 71% vdekje më shumë nga kolera krahasuar me një vit më parë

Më shumë se 4000 persona kanë humbur jetën vitin e kaluar si pasojë e kolerës, një sëmundje e parandalueshme dhe lehtësisht e shërueshme.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kriza shëndetësore vazhdon edhe në vitin 2024 me 22 vende që raportojnë raste të kolerës për një total, prej 342,800 të infektuarish dhe 2,400 vdekjesh në mbarë botën.

Në vitin 2023, numri i rasteve të kolerës në botë u rrit me 13%, ndërsa vdekjet me 71% krahasuar me vitin 2022.

Kolera është një infeksion akut i zorrëve që përhapet përmes ushqimit dhe ujit të kontaminuar dhe prek kryesisht komunitetet me akses të kufizuar në shërbimet higjienike.

45 vende raportuan raste, një rritje nga 44 një vit më parë dhe 35 në 2021. 38 për qind e rasteve të raportuara ishin te fëmijët nën moshën pesë vjeç.

Konfliktet, ndryshimet klimatike, uji dhe kanalizimet, varfëria, moszhvillimi dhe zhvendosja e popullsisë për shkak të konflikteve dhe fatkeqësive në zhvillim, të gjitha kontribuan në rritjen e shpërthimeve të kolerës vitin e kaluar.

Shpërndarja gjeografike e kolerës ndryshoi ndjeshëm nga viti 2022 në 2023, me një rënie prej 32% të rasteve të raportuara nga Lindja e Mesme dhe Azia dhe një rritje prej 125% në Afrikë. Shumë vende në Afrikë raportuan një përqindje të lartë të vdekjeve në komunitet.

Ky është viti i parë që shumë vende kanë raportuar vdekje nga kolera që kanë ndodhur jashtë spitaleve, të njohura si 'vdekje në komunitet'. Në pesë nga 13 vendet raportuese, mbi një e treta e vdekjeve nga kolera ndodhën në komunitet, duke nënvizuar boshllëqet serioze në aksesin ndaj trajtimit.

OBSH e konsideron rrezikun aktual global nga kolera si shumë i lartë dhe kërkon reagimin me urgjencë për të reduktuar vdekjet dhe për të frenuar shpërthimet në vendet anembanë botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë