Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje të enjten prodhuesve të vaksinave që t’i japin përparësi dërgesave të vaksinave Covid-19 në formacionin COVAX për vendet më të varfra dhe tha se nuk duhet të shkojnë më doza në vendet me mbulim vaksinal më shumë se 40%.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së tha se dozat e treta janë të rëndësishme vetëm tek njerëzit me imunitet të dobët dhe të tjerat duhet të shkojnë në vendet ku mbulesa vaksinale është 1%.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje prodhuesve të vaksinave që tashmë kanë Listën e Përdorimit Emergjent të OBSH-së për të dhënë prioritet COVAX, jo fitimit të aksionarëve,” tha ai.
Ka disa vende veçanërisht në Afrikë, që kanë mbetur shumë prapa në përhapjen globale të vaksinave. Sipas OBSH gjashtë për qind e popullsisë së kontinentit është aktualisht e vaksinuar. Për shkak të kësaj, Tedros bëri thirrje që duhet të shtyhet doza e tretë në këtë periudhë.
“Shumica e vendeve me mbulim të lartë të vaksinave vazhdojnë të injorojnë thirrjen tonë për shtyrjen e dozave të treta, në kurriz të punonjësve shëndetësorë dhe grupeve vulnerabël në vendet me të ardhura të ulëta, të cilët janë ende duke pritur për dozat e para,”shtoi Tedros.
Më parë, ekspertët e shëndetësisë kishin thënë se nuk kishte asnjë provë që tregonte se amerikanët e vaksinuar plotësisht kishin nevojë për injeksione përforcuese. Megjithatë, gjithnjë e më shumë kërkime kanë treguar se njerëzit me sistem imunitar të dobësuar kanë nivele të ulëta ose të pazbulueshme të antitrupave, edhe pas dy dozave.
Burimi:Reuters/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje