COVID-19 vazhdon të mbetet një emergjencë globale shëndetësore pas tre vjetësh që kur u shfaq, tha OBSH. OBSH tha se pandemia duket se ka mbaruar në shumë pjesë të botës, por në të vërtetë, ajo vazhdon të ndikojë fuqishëm në shëndetin e popullsisë së botës.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se kjo pandemi na ka befasuar më parë dhe mund të na befasojë sërish.
Javën e kaluar, Komiteti i Emergjencës për COVID-19 u takua për të trajtuar situatën globale dhe rrugën përpara. Komiteti që shpalli COVID-19 si një shqetësim global shëndetësor më 30 Janar 2020, beson se pandemia ende përbën kërcënim globalisht. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm, virusi po ndryshon forma vazhdimisht dhe ka shumë rreziqe dhe pasiguri.
Ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar një rritje ‘të dukshme’ të rasteve tek të moshuarit me afrimin e dimrit. Sipas raporteve, numri i vdekjeve të lidhura me Covid në Angli është rritur me 40 për qind në një javë dhe ka arritur më të lartën që nga Gushti.
Me dimrin që së shpejti do të vendoset në shumë pjesë të botës, në vend të një varianti të ri të vetëm në zhvillim, bota po shikon një seri variantesh të reja.
Sipas raporteve, nënvarianti BF.7 tani po bën rrugën e tij në SHBA, MB, Australi, Belgjikë dhe vende të tjera pasi doli nga Kina. Varianti ka gjetur gjithashtu rrugën e tij në Indi me rastin e parë të raportuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




