Sipas një raporti të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetit, asnjë vend në botë nuk ka mjedis të duhur për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve.
Gjetjet tregojnë se ne tashmë nuk jetojmë më në një botë të brishtë, por industrializimi dalëngadalë po shkatërron jetën e brezave të rinj. Raporti i bazuar në një komision prej më shumë se 40 ekspertësh tregon se çdo fëmijë në Tokë është nën kërcënimin e menjëhershëm të degradimit ekologjik, ndryshimin e klimës dhe praktikat e marketingut nga kompanitë ushqimore.
Raporti, nga OBSH, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (Unicef) dhe Komisioni Lancet, monitoroi 180 vene pa dallim ekonomik. Raporti thotë që ndërsa vendet më të pasura kanë përgjithësisht shëndet më të mirë të fëmijëve, janë pikërisht ato vende që kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve përmes ndotjes së karbonit dhe ndikimit që kanë tek ndryshimet klimaterike.
Kur autorët morën parasysh emetimet e CO2 për frymë, renditja tregoi një histori shumë të ndryshme nga çfarë mendonin ekspertët. Norvegjia renditet në vendin e 156, Republika e Koresë 166 dhe Holanda 160 (numërimi nis nga 180). Secila prej këtyre vendeve lëshon 210 për qind më shumë CO2 për frymë sesa objektivi i përcaktuar për t’u arritur në vitin 2030. Mbretëria e Bashkuar u rendit në vendin e 136, ndërsa SHBA, Australia dhe Arabia Saudite janë ndër 10 emetuesit më të dobët.

“Është vlerësuar se rreth 250 milion fëmijë nën pesë vjeç në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë të rrezikuar të mos arrijnë potencialin e tyre të zhvillimit. Por një shqetësim edhe më i madh, është se çdo fëmijë në të gjithë botën tani përballet me kërcënime ekzistenciale nga ndryshimet klimatike dhe presionet tregtare, ” tha Helen Clark, ish-kryeministria e Zelandës së Re dhe bashkë-kryetarja e Komisionit Lancet.
Autorët e raportit thanë se qeveritë duhet të përdorin koalicionet nëpër sektorë për të kapërcyer presionet ekologjike dhe tregtare për të siguruar që të jetojnë në një planet më të shëndetshëm.
Numri i lartë i kompanive të marketingut që po paraqiten para të rinjve është një shqetësim i madh. Të dhënat tregojnë që fëmijët në disa vende shohin rreth 30,000 reklama vetëm në televizion në një vit të vetëm.
Ekspozimi ndaj “marketingut grabitqar” të ushqimeve të pa shëndetshme dhe pijeve me sheqer kanë nxitur probleme shëndetësore, përfshirë këtu obezitetin e fëmijëve. Numri i fëmijëve dhe adoleshentëve obez në të gjithë botën u rrit nga 11 milion në vitin 1975 në 124 milion në vitin 2016, me kosto të madhe individuale dhe shoqërore.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, e përshkroi raportin si një “thirrje për reagim”.
Për të mbrojtur fëmijët, autorët e komisionit bëjnë thirrje për një lëvizje të re globale të nxitur nga edhe për fëmijët.
Dr Richard Horton, kryeredaktori i revistës “Lancet” tha se mundësitë janë të mëdha për të ndryshuar këtë fenomen.
“Provat janë të mjaftueshme për të ditur me çfarë rreziku po përballemi. Nga kryetarët e shteteve deri tek pushteti lokal, nga drejtuesit e KB dhe deri tek vetë fëmijët, ky komision kërkon lindjen e një epoke të re për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Do të duhet guxim dhe angazhim për të bërë këtë ndryshim,” shtoi ai.
Henrietta Fore, drejtori ekzekutiv i Unicef, tha se nga kriza e klimës deri tek mbipesha dhe marketingu i dëmshëm tregtar, fëmijët në mbarë botën do të duhet të përballen me kërcënime që vite më parë do të ishin të paimagjinueshme./The Independent/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.