Sipas një raporti të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vlerësohet se 1 në 6 njerëz në mbarë botën janë të prekur nga infertiliteti.
Shkalla e infertilitetit, e përcaktuar si pamundësi për të mbetur shtatzënë pas një viti marrëdhënie seksuale të pambrojtur është njësoj në të gjitha vendet dhe rajonet.
“Në analizën tonë, prevalenca globale e infertilitetit gjatë gjithë jetës ishte 17.5%, që përkthehet në 1 në çdo 6 njerëz që e përjetojnë atë gjatë jetës së tyre” tha të hënën Gitau Mburu, shkencëtar në OBSH.
Ai thotë se si në vendet me të ardhura të larta ashtu edhe në vendet me të ardhura të ulëta, prevalenca ishte gati njësoj, me një ndryshim jo domethënës.
Megjithatë, ka dallime në atë se sa njerëzit shpenzojnë për trajtimet e infertilitetit dhe sa të aksesueshme janë trajtime të tilla, sipas raportit.
“Njerëzit në vendet më të varfra shpenzonin një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre në një cikël të vetëm IVF në krahasim me vendet më të pasura”, tha Mburu.
“Ky raport nuk më befason për sa i përket përmbajtjes, sepse dihet prej disa kohësh që infertiliteti është shumë më i përhapur nga sa thuhet”, David Keefe, specialist i infertilitetit.
Raporti i OBSH, i pari i këtij lloji në një dekadë, përfshin një analizë të të dhënave të infertilitetit nga viti 1990 deri në 2021. Të dhënat erdhën nga 133 studime të publikuara më parë mbi prevalencën e infertilitetit.
Studiuesit megjithatë nuk përcaktuan nëse normat globale të infertilitetit janë rritur apo ulur me kalimin e kohës.
“Të dhënat që kemi analizuar për këtë raport janë nga viti 1990 deri në vitin 2021 dhe gjatë asaj periudhe nuk kemi parë prova të rritjes së shkallës së infertilitetit. Megjithatë, mënyra se si u rregulluan të dhënat, nuk ishin të organizuara për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje”, thotë James Kiarie, kreu i kujdesit për infertilitetin në OBSH.
“Ne nuk mundemi, bazuar në të dhënat që kemi, të themi se infertiliteti është në rritje ose konstante”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




