Treg

Obligacionet dyvjeçare arrijnë në 4.7%, yield-et nuk ndalin rritjen

Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë po vijojnë rritjen.

Në ankandin e kësaj jave, yield-i uniform i pranuar nga Ministria e Financave arriti në nivelin 4.7%. Ankandi i kësaj jave ishte rihapje e ankandit të këtyre instrumenteve që ishte zhvilluar në muajin korrik.

Ky ankand kishte rezultuar me një yield uniform dhe kupon prej 2.9%. Një rihapje e parë ishte zhvilluar në muajin korrik dhe yield-i uniform kishte kërcyer në nivelin 4.2%. Një muaj më pas, është shënuar një rritje e mëtejshme, tashmë në nivelin 4.7%.

Rezultat e rihapjeve të ankandit të obligacioneve 2-vjeçare dëshmojnë qartë ritmet shumë të shpejta të rritjes së yield-eve për insturmentet e borxhit të qeverisë shqiptare.

Bonot 12-mujore kanë arritur tashmë nivelin 3.73%, më i larti që prej vitit 2014.

Në rihapjen e kësaj jave të obligacioneve 2-vjeçare kërkesat totale arritën në 3.51 miliardë lekë, përkundrejt një shume të shpallur për financim prej 3 miliardë lekësh.

Pjesëmarrja e ulët në ankande ishte bërë shqetësuese për Ministrinë e Financave dhe muajin e kaluar ministrja Delina Ibrahimaj zhvilloi një takim me drejtues të bankave tregtare, për të kërkuar një rol më aktiv të tyre në ankande. Për momentin, sektori bankar duket se i është përgjigjur kësaj kërkese, duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes në ankandet e zhvilluara gjatë dy javëve të fundit.

Këtë muaj Ministria e Financave do të zhvillojë ankandin e dytë të obligacioneve 15-vjeçare, instrumenti më afatgjatë i borxhit të qeverisë i emetuar deri më sot.

Emetimi i parë i këtij instrumenti u bë në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa gjatë këtij viti janë zhvilluar tre rihapje.

 Në rihapjen e fundit, të muajit maj, yield-i uniform i pranuar arriti në 6.9%, nga 5.88% që kishte qenë në ankandin fillestar, të nëntorit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë