Ashtu si vendet e tjera në zhvillim, edhe Shqipëria është e prekur nga obeziteti, një gjendje e vështirë për t’u trajtuar e cila përcaktohet si “akumulim jonormal ose i tepërt i yndyrës e cila rrezikon shëndetin”. Në Ditën Ndërkombëtare të Obezitetit, nutricionistja Diola Dosti i ka shpjeguar Gazetasi.al se Shqipëria përditë e më shumë po vuan mbipeshën te fëmijët, e cila kthehet në problem shqetësues shëndetësor për të gjithë jetën në vazhdim. Sipas saj, ka shumë nevojë për ndërgjegjësim dhe për më shumë përpjekje nga të gjitha institucionet. Përshembull, edhe pse pranë shkollave ka dalë vendimi që të mos shiten ushqime të pashëndetshme, përsëri shohim fëmijë që vrapojnë në dyqanin më të afërt për të marrë një sanduiç, pica apo pije me gaz.

“Pas kësaj fëmijët përballen me një trup të dhjamosur i cili nuk është thjesht një trup me përmasa të mëdha, por një organizëm shumë problematik me një mëlçi të dhjamosur, e që në të ardhmen mund të jetë pacientë i kardiologjisë, ose një pacient që do të ketë probleme me nivelin e sheqerit të lartë në gjak”, shpjegon Dosti.
Sipas nutricionistes për prindërit është një situatë e vështirë për t’u menaxhuar, pasi edhe vetë ushqehen keq. Ajo shpjegon se hapi i parë që duhet bërë është edukimi i frigoriferit, që do të thotë se prindërit të dalin të bëjnë pazarin bashkë me fëmijët dhe në shtëpinë e tyre të mos ketë ushqime të pashëndetshme dhe në moment që fëmija të hajë diçka të shohë që zgjidhja nuk është një çokollatë, apo një picë.
“Është një proces i cili merr kohë deri sa fëmijët dhe familja të arrijnë në fazën e ndërgjegjësimit megjithatë çdo gjë fillon me hapa të vegjël. Në momentin kur prindërit fillojnë të ndërgjegjësohen se cilat janë pasojat e mbipeshës, atëherë do fillojnë të marrin masa për mënyrën se si ata ushqehen”, shpjegon Dosti.
Një analizë e të vitit të shkuar nga Instituti i Shëndetit Publik tregoi se prevalenca e mbipeshës në shkallë vendi është 42%, ndërsa prevalenca e obezitetit është 33%. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë analizuar rezultatet që u bënë nga kontrolli bazë shëndetësor, “Check-up” në rreth 1 milionë kontrolle deri në vitin 2018.
Nga 954 667 vizita të kryera 1 e katërta e tyre rezultuan me sheqerna dhe yndyra mbi normën dhe gjithashtu 3 ne 4 të rritur mbi peshë. Në këtë mënyrë, nga matjet antropometrike prevalenca e mbipeshës dhe obezitet është 75%, pra 3 në 4 të rritur shqiptarë rezultojnë që të jenë mbipeshë dhe/ose obezë.
Dosti shton se çdo herë e më shumë shifrat janë në rritje sepse ndërgjegjësimi për mënyrën e të ushqyerit ka luhatje të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje