Lexo me "Si"

O Republikë, o ç’më ngjall frikë!

Maks Velo - Megjithëse termi NIVELI I FRIKËS nuk përdorej asnjëherë në korrespondencën zyrtare dhe as atë partiake, ai nënkuptohej. Sipas teoricienëve marksistë kjo quhej dhe konsiderohej forca e vërtetë lëvizëse e mrekullisë socialiste. Pa FRIKËN nuk mund të arrihej asnjë sukses. Qëllimi kryesor dhe i vetëm i partisë ishte injektimi i frikës në popull, njohja saktësisht e dozave prezente të frikës në limfën e të gjitha shtresave shoqërore të kombit dhe përgatitja e tërë aparaturës shtetërore për ndërhyrje urgjente kur shihej që këto norma ishin ose më pak ose më shumë sesa parametrat e lejuar.

Zakonisht ndodhte që parametri i frikës të binte dhe të ishte nën të lejuarën. Kjo vinte sidomos nga rrethimi imperialisto-revizionist, kur kishte kampionate botërore në futboll ose kur zhvillohej festivali i San Remos.Ekspertët partiakë kishin studiuar me imtësi si sezonet

po ashtu dhe arsyet e kurbave rënie-ngritje të frikës.Në bazë të këtyre studimeve u ishte rekomanduar organeve superiore që menjëherë pas sezonit të plazhit, kur niveli i frikës binte ndjeshëm, të zhvilloheshin disa gjyqe nëpër rrethet kryesore të republikës.Kështu që mbaheshin gati nëpër hetuesitë grupe ordinerësh ose politikanësh që nga mesi i shtatorit të gjykoheshin.Ishte parë dhe analizuar që pas këtyre gjyqeve, niveli i frikës shkonte në normalen.

Republika merrte frymë lirisht, por ishte e frikësuar. Çdo mëngjes programet e radios fillonin me këngën solemne O REPUBLIKË, të kënduar nga basi më i fuqishëm i operës shtetërore.Thuhej se dhe vetë diktatori kur e dëgjonte prekej e përlotej se e dinte që niveli i frikës kishte arritur normalin.

Por unë që e dëgjoja çdo mëngjes kur shkoja në punë këngën, këndoja me vete nën zë: O Republikë ... O ç’më ngjall frikë ... Po këtë e këndoja për vete ama, madje pa zë fare.Pra, që të jem i qartë dhe ne e kërkonim frikën dhe na ishte bërë si punë droge, na qetësonte, na paralizonte, na riaftësonte.

Kështu çdo njeri thoshte me vete: “Ç’më duhet mua të ziut!”. Rrinte urtë dhe bënte gjumin e qetë.Unë kisha nxjerrë konkluzionin se nuk kishte qetësues më të mirë sesa frika. Luminali vërtet të vinte në gjumë po të nesërmen të dhembte koka.Frika ishte një qetësues dhe paralizues pa efekte anësore.Mpiheshe i tëri.Vërtet që  kisha një si ankth e makth, por ky ishte fare i padukshëm dhe i përhershëm.Isha qytetar i gëzuar në sajë të frikës.

Kështu të gjithë që folën në mbledhje ishin për dënimin KAPITAL; kurse ne, më oportunistët, formuluam shprehjen e njohur të Pilatit: “Ç’të vendosë Partia ...”.

Mendimi i udhëheqjes ishte i drejtë dhe largpamës.Të gjithë u bëmë gjykatës, vendimmarrës, bashkëfrikacakë, bashkëpërgjegjës, bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës.Por kur ne secili më vete po jepnim vendimin kapital, partia i kishte ekzekutuar.Kështu që vendimet tona ishin si parullat që lëshohen nëpër mitingje.Bëhen që masat të provojnë zërin dhe histerizmin, histerizmin kolektiv.

Por ana formale shkoi për mrekulli.Të gjitha deklarimet, të gjitha mbledhjet, në të gjithë territorin e republikës u protokolluan.Të gjitha procesverbalet u mblodhën dhe u dërguan në Komitetin e Partisë së rrethit.Dhe komitetet e partive i nisën të shoqëruar nga shefi i kuadrit dhe një nga sekretaret për në kryeqytet në Komitetin Qendror të Partisë.Atje u shqyrtuan një për një.Vetëm një procesverbal ishte i paqartë dhe si në dëlir, por ai u skualifikua, u gris dhe u hodh në kosh.

Një ushtarak ishte shprehur në mbrojtje të ministrit dhe për të u lajmërua Ministria e Brendshme.Ai u arrestua menjëherë.Rast tjetër kundër nuk pati.Por sidoqoftë tërë Sigurimi ishte ngritur më këmbë.Udhëheqësit të madh iu raportua që populli njëzëri denoncoi puçistët pa asnjë mëshirë. Kështu ishte vërtet: populli ynë ishte më i pamëshirshmi në tërë rruzullin tokësor, mos t’i bije në dorë.Sidomos kur dënohej ndonjë ish-udhëheqës, atëherë merrte hak tamam dhe kjo, për shkak të frikës.

Në mbledhjen e zgjeruar të Byrosë Politike të gjithë anëtarët me tone deklamative lavdëruan gjenialitetin e udhëheqësit kryesor gjenial dhe largpamës, i cili edhe njëherë tjetër shpëtoi partinë nga një rrezik që i vinte nga brenda.

Ajo që ishte e çuditshme me republikën tonë, ishte se tërë kërcënimet dhe komplotet i vinin nga brenda, domethënë nga vetë partia.Asnjë sulm nuk u vërtetua nga jashtë.Trofeu më i madh ishte një avion i vogël i NATO-s, i cili gabimisht hyri në territorin tonë dhe pasi kërkoi leje, u ul paqësisht në Rinas.Aviatori u lirua dhe shkoi, por avioni u mbajt dhe u vendos në muzeun e trofeve të luftës në Gjirokastër.

Shtabi i NATO-s nuk insistoi, se avioni ishte i vjetër, i Luftës së Dytë Botërore.Sa herë kishte festa, nxënësit e shkollave dërgoheshin për të parë “avionin armik të kapur nga aviatorët tanë syshqiponja që mbrojnë qiellin e republikës krenare, roje e lirisë dhe pavarësisë në brigjet e Adriatikut ...”.Në festivalin e këngës u këndua dhe një këngë që ngriti sallën peshë:

“O shpend armik ... gjakatar, grabitës e i lik ... të kapëm në Tiranë ... në muze të vumë në Gjirokastër ...”

Kurse një shkrimtar për fëmijë botoi librin me ilustrime “Beni me avion”.Niveli i frikës ra. Shtetasit u shndërruan nga dënues frikacakë në entuziastë revolucionarë, u shtua përqindja e vendosmërisë në vetitë e njeriut të ri.Niveli i ligësisë, spiunllëkut dhe hidhësisë në gjakun shoqëror u rrit. Njerëzit kërkonin të tjera ekzekutime. Kjo quhej entuziazëm revolucionar.

Kështu u dënuan me pushkatim ministri i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtori i Drejtorisë Politike. Dy të fundit nëpër mbledhjet pa fund dënuan ministrin, pastaj drejtori dënoi shefin e Shtabit, pastaj gjeneralët e tjerë dënuan drejtorin e Drejtorisë Politike, më së fundi u arrestuan dhe u burgosën dhe shtatëmbëdhjetë gjeneralët e tjerë. Së fundi u tha se u dënua dhe kali i shefit të Shtabit, nga kalë parade në kalë karroce, por për këtë nuk jam shumë i sigurt se për kalin nuk na u kërkua mendim.

E vetmja gjë që na u tha ishte se këta tradhtarë të partisë dhe të popullit ishin kundër tezave të KQ-së, të partisë dhe se ishin formuluesit e teorisë së rrëshqitjes. Por çfarë ishin këto teza nuk na u sqarua.Po mua më ka mbetur merak një gjë, që nuk e harroj që në atë kohë. Ç’ishte kjo rrëshqitje? Por nuk pyesja dot as presidiumin e mbledhjes, sepse kisha frikë se mos tregohesha i paditur apo tepër kurioz.

Pra ç’ishte vërtet ajo rrëshqitje ...se po rrëshqite dhe re, epo ke të drejtë të ngrihesh edhe të tërhiqesh.Pra pyetja që ngre unë ishte: tërheqja erdhi si pasojë e rrëshqitjes apo kështu thjesht nga kapitullimi.Rrëshqitjen, tërheqjen  dhe kapitullimin nuk i lidha asnjëherë dot ashtu siç duhej.Me një fjalë më vret ndërgjegjja për atë që thashë ...si të vendosë Partia.

Byroja Politike mblidhej për herë të parë pas tetë muajsh. Në rend të ditës ishte zgjedhja e tre anëtarëve të pushkatuar, dy byroistë e një kandidat dhe një projektvendim që do i rekomandohej Këshillit të Ministrave për të shtuar dhe me dy javë lejen e grave kooperativiste shtatzëna. Salla ku mblidhej Byroja kishte pësuar ndryshime të dukshme për herë të parë që prej njëzet vitesh.

Dy tavolina të gjata të vendosura në formë V-je zinin tërë gjatësinë e sallës. Poltroni i diktatorit ishte në kulmin e V-së së krijuar. Tavolinat ishin prodhuar me dru arre në ndërmarrjen shtetërore “Misto Mame”, kurse poltronat me lëkurë u blenë në Itali. Për t’i zgjedhur ato dhe abazhurët, u dërguan jashtë shtetit arkitekti projektues së bashku me një punonjës të Drejtorisë së Pritjes.Urdhri ishte që të blihen nga kualiteti më i mirë dhe të mos kursehen fondet për këtë punë.

Këtë ndryshim anëtarët e Byrosë Politike e shihnin për herë të parë.Kur hynë në sallën që shndriste nga lustra, lëkura kafe dhe dritat e shumta, ata mbetën të mrekulluar.Ja ç’ishte e zonja të bënte partia.

Ardhjen e sekretarit të parë po e prisnin në këmbë ...fytyrat e tyre shprehnin hapur një kënaqësi të pritur gjatë.Anëtarit më të vjetër iu kujtua se kjo atmosferë disi festive përsëritej sa herë që burgosej ose pushkatohej ndonjëri  prej tyre dhe deri tani ai kishte shpëtuar.

Por a do të mundej deri në fund? Sipas rregullores, dy shokët që do të zgjidheshin ishin nga kandidatët e Byrosë, kurse jashtë sallës, në zyrën e njërit prej sekretarëve prisnin tre anëtarë të KQ-së që do të zgjidheshin kandidatë të Byrosë.

Numri duhej të ishte i pandryshuar, 11 anëtarë dhe dy kandidatë.Partia normat i respektonte dhe kjo quhej demokracia e brendshme e partisë.Sidoqoftë kjo mbledhje ishte e rëndësishme dhe të gjithë e kuptonin se duhej të ishin të qeshur dhe veçanërisht të gëzuar, sepse vendimet që do të merrnin do të transmetonin pikërisht këtë gjë: populli dhe partia ishin të bashkuar rreth udhëheqësit.

Ata kishin në ndërgjegje nivelin më të lartë të frikës, prandaj dhe qeshnin ashtu me njëri-tjetrin, por sidoqoftë në shikime duhej të ishin seriozë dhe të bindur, të bindur edhe në rast se si shokët e tyre do të shkonin drejt pushkatimit. Kjo ishte edhe kondita kryesore për të qenë në organin më të lartë të partisë. Ata duhej t’i jepnin përshtypjen udhëheqësit që ai mund të bënte ç’të donte mbi ta

.Ata instinktivisht kishin kuptuar që në fillim se komunizmi ishte e kundërta e krishterimit.Krishti u sakrifikua për dishepujt dhe për njerëzit, kurse në komunizëm dishepujt duhej të sakrifikoheshin për udhëheqësin e madh që t’u jepnin shembullin njerëzve të thjeshtë, që edhe ata duhej të sakrifikoheshin. Sakrifica quhej heroizmi socialist.Dhe nga heroizmi socialist vinte lumturia komuniste.

Nga dera e hapur në të dyja kanatat dukej korridori dhe ata po shihnin andej me bisht të syrit ...Më së fundi udhëheqësi u shfaq. Ai po vinte ngadalë drejt tyre me një thyerje të lehtë të figurës që ata nuk ia kishin njohur më parë. Fletëthirrja për zbor më kishte ardhur.U mblodhëm në repart.Të nesërmen bëmë qitje me pistoletë dhe na lajmëruan itinerarin: do të zhvillohej një lojë e madhe.

Shkuam në tunelet e Mamurrasit, në repartin e tankeve.Tanket ishin të tunelizuar.Në mesnatë u nisëm për në Lushnjë, krahas me ne, në rrugën kryesore nacionale lëviznin mjete të motorizuara, artileria dhe këmbësoria.Loja kishte për qëllim të tregonte forcën e pathyeshme të ushtrisë dhe të udhëheqjes së partisë që kishte fituar mbi puçistët.

Më kishin caktuar komandant tanku.Reparti u përqendrua pranë një fshati me ullishte.Komandanti i batalionit të tankeve na mblodhi në çadër dhe na shpjegoi detyrat për të nesërmen, që ishte dhe dita e lojës.Si hëngrëm supën e darkës, ndezëm një zjarr.Poshtë shtrova mushamanë dhe dalëngadalë më zuri gjumi.

“Kryeministri po bërtiste.Udhëheqësi i lavdishëm ka thënë se tërë komplotet i ka zbuluar partia.‘Ju gjeneralët jeni disfatistë ...po partia disfatistët nuk i pranon në radhët e saj.Ju jeni frikacakë, por për frikacakë nuk ka vend në radhët e ushtrisë.

Ju keni rrëshqitur, po përderisa rrëshqitët gremisuni fare ...nisuni ...shkoni kështu në rresht drejt burgut, atje e kini vendin!’ Gjeneralët u çuan në këmbë si me komandë.U nisën në rresht drejt hetuesisë, pastaj filluan të vraponin kush e kush të zinte vendet më të mira.‘Me ngadalë, - u thoshin gardianët e burgut, - me ngadalë, ka vend për të gjithë.Po gjeneralët nuk dëgjonin dhe shtynin njëri-tjetrin që të futeshin sa më parë nëpër biruca ...”

U zgjova i trembur ...mezi mblodha veten ...kuptova që po shihja ëndërr. U ngrita ndenjurazi. Zjarri nuk ishte shuar, lëviza drutë dhe ca shkëndija u ngritën në ajër.U shtriva përsëri dhe u mbulova me kapotën ushtarake, por gjumi nuk më zinte. Qielli ishte i pastër. Yjet ishin vendosur me një rregullsi perfekte. Paris 19/11/2002

(Shkëputur nga libri me tregime i Maks Velos “Përkthyesi”, botim i UET PRESS)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë