Ngjarje

‘O gangster që vendos gjoba”. Dhunohet polici bashkiak i Vlorës, Bruno Jazaj: Ishin babë e bir, i njoh të dy

Nga Gazeta Si- Një polic bashkiak është dhunuar mbrëmjen e të mërkurës në Vlorë nga dy persona për shkak të një gjobe në furgonat e linjës që bëjnë rrugët e fshatrave.

Nga spitali, polici Bruno Jazaj ka dhënë deklaratë për median, ku dhe ka treguar gjithë ngjarjen.

Ai thotë se dy personat, babë e bir, T. S., 61 vjeç dhe K. S., 36 vjeç, i njeh për shkak të punës së të dyja palëve dhe në momentin që i janë afruar, nuk ka menduar se do të dhunohej nga to.

“Sapo mbylla punën shkova për të larë makinën mora në telefon të zotin e lavazhit. Sapo shkoj atje sapo zbres nga makina shikoj një djalë më flet nga larg ‘o gangster që vendos gjoba’. I thash çfarë ke, isha me uniformë veshur, i lodhur. Më tha mos i vendos më gjoba njerëzve, i thash po bëj punën e shtetit, më tha lëre punën e shtetit do bësh si të them unë, se s’e ke idenë çfarë të bëj. Më shau nga familja, në moment që i thash mbaji për vete, u drejtua për të më qëlluar”, tregon Jazaj, i cili shton më tej se menjëherë ka ngritur duar për t’u mbrojtur dhe më pas personi shkon të marrë një levë ndërkohë që polici u fut në makinën e tij dhe ka marrë sallën operative.

“I njoftova që po më dhunojnë dhe po më bëjnë presion për shkak të detyrës, e më pas po prisja të vinin. Ai ka gërvishtur makinën me sende të forta, levë, dhe tentonte të thyente xhamin. Pas 3-4 minuta vjen një person tjetër, më zë rrugën e daljes me mjet, ky ishte babai i tij. Djali ishte rreth të 30, babi 50 e pak. Për shkak se e njihja dhe mendova që erdhi babi për të qetësuar situatën, hapa derën e makinës dhe dola për t’i folur. I them shihe djalin se nuk është mirë, më tha lëre djalin dhe më qëlloi, kishte një çelës anglez. Erdhi pronari lavazhit që ia hoqi çelësin nga dora. Erdhën të dy, derisa humba ndjenjat, dhe më qëlluan me grushte, unaza çfarë kishin. Me çelësin më kanë shkaktuar dëmtim në hundë”, tregon polici bashkiak.

Rreth dy orë ka qenë i pavetëdijshëm, ndërkohë që doktori i ka thënë se duhet të qëndrojë i shtruar.

Polici bashkiak tregon se ka 6 vite që i njeh dhe nuk ka pasur kurrë konfrontim me to.

Ndërkohë, policia ka nisur procedim penal për shtetasit T. S., 61 vjeç dhe K. S., 36 vjeç (babë e bir), të dy banues në Bestrovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë