Filma

Nurembergu, historia që fshihet pas gjyqit të famshëm

Nga Gazeta “SI”- Filmi i ri “Nuremberg”, i regjisorit James Vanderbilt, rikthen në ekran një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më tronditës të shekullit të kaluar: gjyqin ndaj krerëve të lartë nazistë në vitin 1945. Ky proces historik, i pari i këtij lloji, vendosi në bankën e të akuzuarve individët përgjegjës për luftën më të përgjakshme dhe për krimet më monstruoze të kryera në Evropë.

Ndryshe nga ata që kërkonin ekzekutimin e menjëhershëm të udhëheqësve nazistë, Aleatët vendosën që bota duhej të shihte drejtësinë në veprim, një gjykim transparent që do të dokumentonte, njëherë e përgjithmonë, përmasën e krimeve. Nurembergu u kthye në simbol të llogaridhënies dhe në themel të së drejtës moderne ndërkombëtare.

Vanderbilt i qaset historisë përmes një këndi më pak të njohur: marrëdhënies mes Hermann Göring, njeriu të dytë më të fuqishëm të Rajhut, dhe psikiatrit amerikan Douglas M. Kelley. I frymëzuar nga libri “The Nazi and the Psychiatrist”, filmi ndjek orët e gjata të intervistave që psikiatri zhvilloi me Göring-un, duke u përpjekur të kuptonte psikologjinë e një njeriu që kombinonte karizmën me brutalitetin.

Kelley u përpoq të gjente një çrregullim të përbashkët mes udhëheqësve nazistë, një shpjegim psikik për mizoritë e kryera. Por zbuloi një të vërtetë tronditëse: këta burra nuk ishin të çmendur, por oportunistë të paskrupullt, të gatshëm të abuzonin me pushtetin për të shkatërruar miliona jetë. Marrëdhënia e tyre komplekse, e shoqëruar me biseda të sinqerta, sfida intelektuale dhe momente tensioni, paraqitet fuqishëm në film.

Pjesa e dytë e filmit zhvendoset në sallën e gjyqit, ku dokumentet, dëshmitë dhe pamjet e tmerrshme nga kampet e përqendrimit zbulojnë për botën përmasën e Holokaustit. Pamje reale të trupave të pajetë dhe të të mbijetuarve të uritur tronditën jo vetëm botën, por edhe vetë Göring-un, i cili përpiqet të shmangë ekranin.

Pas një gjykimi të gjatë, Göring u dënua me vdekje, por ai zgjodhi të vetëvritej me cianid një natë para ekzekutimit. Ironikisht, psikiatri Kelley, i cili e kishte studiuar me aq intensitet psikikën naziste, do të humbiste jetën në të njëjtën mënyrë më 1958, i kapluar nga zhgënjimi dhe problemet emocionale.

Filmi mbyllet me një reflektim të fuqishëm: mizoritë e tilla ndodhin kur shoqëritë lejojnë ekstremizmin të zërë vend, kur njerëzit heshtin dhe e humbin vigjilencën. Nurembergu mbetet kështu një kujtesë e përjetshme se drejtësia është  ndëshkim, por edhe paralajmërim mbrojtës për të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë