Gazeta Si – I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ka treguar detaje për mënyrën se si ka arritur t’i shpëtojë burgut në kohën kur ishte arrestuar për disa vepra penale.
Në gjyqin që po zhvillohet në GJKKO ndaj grupit kriminal të dosjes “Plumbi i Artë”, Dumani tha se arriti të lirohej edhe falë ndihmës nga dhëndri i vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë së kohës, Nasip Naço, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Dumani rrëfeu se, avokati Alban Bengasi, ka qenë ndërmjetës për lirimin e tij, duke i paguar shumën prej 40 mijë eurosh dhëndrit të vëllait të ish ministrit, që në atë kohë ishte shef i spitalit.
LEXO EDHE:
– ‘Plumbi i Artë’, Nuredin Dumani përballet me tone të ashpra me të pandehurit e akuzuar
– ‘Talo Çela i ra me levë në kokë’, Nuredin Dumani rrëfen mes tensioneve në gjyq grabitjet e kambistëve, shitjen e snajperit ‘Cufit’ dhe vrasjen e nënë e bir
“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të Nasipit që është mjek dhe një mjek-ligjor dhe m’i kanë bërë letrat sikur isha për të vdekur, gjoja sikur vuaja nga zemra”, ka rrëfyer Nuredin Dumani.
Dumani ishte arrestuar për pengmarrje, por pasi siguroi dokumentin për probleme shëndetësore u lirua. SPAK po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandheur, të cilët i kundërshtojnë rrëfimet e kreut të grupit të vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani.
Ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.
Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.
Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.