Gazeta Si - Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Nuredin Dumanin këtë të premte. Seanca u mbajt në ambientet e Spitalit të Traumës, ku Dumani ndodhet pas plagosjes në atentatin e dy ditëve më parë në Papër pas një shkëmbimi zjarri në periferi të Elbasanit.
Ai u kap nga policia në një apartament në lagjen “Apollonia” në Fier, ndërsa ishte i plagosur. Plumbin në kurriz, Nuredin Dumani e mori gjatë një shkëmbim zjarri, ku dyshohet të jetë qëlluar nga ish-miku i tij Talo Çela në një pritë të mirë organizuar.
Pas arrestimit, Dumani u transportua te “Trauma” dhe pikërisht në sallën ku ai është shtruar, i është komunikuar edhe masa e arrestit.
Të arrestuarit e tjerë
Përveç Dumanit, policia arrestoi edhe pesë shtetas të tjerë, mes tyre tre mjekët që e kuruan në shtëpi, partnerja e tij 20-vjeçare nga Kosova dhe një shtetas që dyshohet se e ka ndihmuar të arratiset.
Dy mjekët dhe infermieri janë arrestuar për akuzën e moskallëzimit të krimit dhe veprime të pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas policisë, ata duhet të kishin lajmëruar uniformat blu sipas ligjit.
E arrestuar është edhe 20-vjeçarja. M.H., me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit. E reja me origjinë nga Kosova u gjet brenda banesës ku u arrestua Dumani.
Ndërkohë, 37-vjeçari me origjinë nga Dibra, muaj më parë kishte qëndruar në Kosovë, duke kaluar në mënyrë ilegale dhe pasi u kthye në vendin tonë kishte marrë me vete edhe të renë.
Bashkë me ta në pranga ka rënë edhe Henrik Hoxhaj. 40-vjeçari nga Fieri dyshohet të ketë ndihmuar Dumanin për ta strehuar, pasi banesa ku ai u kap, ishte në pronësi të mikut të Hoxhajt.
Policia dhe Prokuroria e Elbasanit vijojnë ende hetimet për të zbuluar itinerarin e ndjekur nga Nuredin Dumani para përplasjes së armatosur në Papër, dy ditë më parë, ku dyshohet se ka paur një shkëmbim zjarri mes tij dhe Talo Çelës, ndonëse të dy dikur kanë qenë miq.
Akuzat dhe e kaluara e errët e Dumanit
Dumani është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.
Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020. Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.
Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do t’u vriste familjarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.