Treg

Numri i dëmeve pezull të siguruesve është rritur, ndërsa vlera ka rënë

Vlera e dëmeve pezull ka zbritur në më pak se 6.4 miliardë lekë në mesin e këtij viti duke rënë me 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare(AMF).

Kjo vlerë rezulton në rënie për pesë nga tetë kompani të licencuara për sigurimet e jo-jetës. Dëmet pezull kanë rënë edhe për pjesën që i takon fondit të kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, me 18% më pak krahasuar me një vit më parë.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 3.7 miliardë lekë dëme, shumë kjo sa 58% e totalit të dëmeve që janë pezull. Por, nëse në total dëmet pezull kanë pësuar rënie në vlerë, ato janë më të larta në numër rastesh.

 Sipas AMF-së, numri i dëmeve pezull në fund të qershorit 2021 arriti në rreth 11 mijë, nga rreth 9200 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e vlerës së dëmeve pezull krahasuar me vitin e kaluar duket se i detyrohet kryesisht shlyerjes së dëmeve të lidhura me tërmetin e fundit të vitit 2019. Sipas vlerësimeve të AMF-së, fatura totale e dëmeve të tërmetit arriti në rreth 4.7 miliardë lekë ose rreth 38 milionë euro.

Tejkalimi i efektit të përkohshëm të tërmetit duket edhe në vlerën e dëmeve të paguara në sigurimet e jo-jetës, që ka pësuar rënie me 10.6% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, dëmet pezull kanë shënuar një rritje të ndjeshme për kompanitë e sigurimit të jetës.

Ky segment i tregut gjatë vitit 2021 po vuan pasojat e rritjes së numrit të vdekjeve pas shpërthimit të pandemisë. Dëmet e paguara nga siguruesit e jetës gjatë gjysmës së parë të këtij viti u rritën me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë, ndërsa rritja vërehet edhe në vlerën e dëmeve pezull, që ka arritur në rreth dy milionë euro ose 32% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Dëmet pezull përfshijnë ato në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë