Shqipëria vazhdon të jetë vendi me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë, në Europë dhe Ballkanin Perëndimor, pas Kosovës.
Shqipëria rezulton me 18.6 degë apo agjenci banakre për 100 mijë banorë, ndërsa Kosova me 16.2.
Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë një numër degësh në raport me popullsinë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin 2020 ishte në nivelin 22.6 degë për 100 mijë banorë.
Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte e Mali i Zi, me 38.1 degë për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 29.9 degë për 100 mijë banorë, Serbia me 27.6 degë për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 23.1 degë për 100 mijë banorë.
Në vendet e Bashkimit Europian, numri i degëve bankare ka pësuar po ashtu ulje, por kjo sepse FinTech dhe digjitalizimi i pagesave ka ulur nevojën për banka fizike.
Ky lloj tranzicioni duket më i vështirë në Ballkanin Perëndimor, i ngadaltë, edhe për shkak të stadit të zhvillimit ekonomik të rajonit. Për këtë arsye, një prani më e gjerë e degëve ngelet e domosdoshme për të mundësuar zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare në ekonomi.
Sipas të dhënave më të fundit nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit të kaluar numri i degëve të bankave në Shqipëri arriti në 417, nga 413 që kishte qenë në fillim të vitit. Viti 2021 shënoi një moment kthese, sepse kjo ishte hera e parë prej vitit 2012 që numri i degëve bankare shënoi rritje. Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.