Futboll

Numra prej fenomeni, me rekordin e ri Haland kalon Mesin dhe Kristiano Ronaldon

Gazeta Si – Erling Braut Haland nuk rresht së mahnituri me fanellën e Mançester Sitin. Një sezon kornizë për sulmuesin norvegjez. Në fitoren 4-1 ndaj Southemptonit ai kapi shifrën e 30 golave në Premier Ligë, por mbi të gjitha regjistroi golin numër 200 në karrierë në 244 ndeshje të luajtura.

Numra të frikshëm për Haland, i cili ka arritur një rekord, duke mundur Lionel Mesin (në moshën 22-vjeçare kishte shënuar ‘vetëm’ 120 gola) dhe Kristiano Ronaldon (85 gola).

Sulmuesi norvegjez, Haland. Gazeta Si, 10 prill 2023

Plot 200 gola, një shifër e rrumbullakosur për fenomenin e datëlindjes 2000. Që në momentin kur u bashkua me Mançester Sitin, norvegjezi ka realizuar 44 gola. Atyre u shtohen 20 gola me Molden, 29 gola me Salcburgun, 86 gola me Borusia Dortmund dhe 21 gola me fanellën e Norvegjisë.

Në historinë e futbollit Haland është lojtari 6-të më i ri që kap shifrën e 200 golave, pas Pelésë, Ronaldo Fenomenit, Ferenc Pushkash, Euzebios dhe Nejmarit.

Një sezon me numra të jashtëzakonshëm për Haland, një garanci për trajnerin Guardiola dhe shokët e ekipit. Ai realizon me kokë, me të djathtën, me të majtën, madje edhe me akrobaci. Repertori i tij është mjaft i pasur, i kompletuar. Me dopietën ndaj Southemptonit u ngjit në kuotën e 30 golave në kampionat, në 27 ndeshje.

Tani ka një tjetër rekord në shënjestër: numrin më të lartë të golave të shënuar në një sezon në Premier Ligë. Rekordi aktual mbahet nga Salah, me 32 golat e shënuar në sezonin 2017-18. Haland ka edhe 10 ndeshje në dispozicion dhe është e sigurt se do ta thyejë bindshëm rekordin e egjiptianit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë