Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës përfundoi numërimin e plotë të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Zyra e shtypit e KQZ saktësoi se në orët e para të kësaj të premteje, u mbyll numërimi i fletëve të fundit që kishin mbërritur me postë nga jashtë Kosovës.
Kjo përbën edhe mbylljen përfundimtare të procesit të numërimit, i cili i lë vendin tashmë shpalljes së rezultatit e më tëj certifikimit të tij.
Sipas Ligjit subjektet politike kanë të drejtë të dërgojnë ankesa brenda 48 orësh nga ndodhja e shkeljes së supozuar, ndërsa deri më tani është regjistruar vetëm një e tillë nga PDK.
Ndërkohë, organi që administron zgjedhjet, përditësoi edhe rezultatet, sipas të cilave Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me shumicën e votave dhe ulëseve në Kuvend.
Partia Lëvizja Vetëvendosje, ishte fituesi i ditur i zgjedhjeve, ndërsa me përfundimin e procesit ka thelluar rezultatin. Sipas të dhënave të fundit partia e Albin Kurtit, ka arritur 57 mandate pasi mori 51.11 për qind të votave, konkretisht 486,994 vota.
PDK renditet e dyta me 22 deputetë dhe 20.19 për qind të votave, ose 192,407 vota. Kurse LDK do të dërgojë në parlament 15 deputetë pasi mori 13.23% mbështetje të votave, përkatësisht 126,102 vota, një rezultat shumë më i dobët në raport me zgjedhjet e 9 shkurtit.
AAK e Ramush Haradinaj do të përfaqësohet në parlament me 6 deputetë pas 5.50% të votave të siguruara, specifikisht 52,370 të tilla.
Lista Serbe ka siguruar 9 karriget e rezervuara për komunitetin serb në Parlament, ndërsa 1 prej tyre i shkon deputetit Nenad Rashiç. Ndërkohë 10 të tjera do të shpërndahen për partitë joserbe duke plotësuar 120 vendet.
Në votimet për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raportoi se morën pjesë 45 % e qytetarëve me të drejtë vote
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




