Politike

Numërimi i votave sërish i përqendruar, PS lë hapësirë për kushtin e opozitës

Numërimi i votave në zgjedhjet e ardhshme do të mund të realizohet me dy skenareve të mundshëm, ai tradicional dhe elektronik. Në paketën e tretë të amendimeve të siguruara nga Gazeta “Si”, parashikohet që votimi dhe numërimi të jetë ai tradicional, me dorë dhe i përqendruar në Qendrat e Numërimit të Votave dhe si një variant i dytë është ai i votimit dhe numërimit elektronik. Ekspertët e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore kanë përgatitur paketën e tretë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, që pritet të shqyrtohet në mbledhjen e së hënës. Në variantin e parë parashikohet skema e vjetër e numërimit të votave dhe se kutitë e votimit duhet të grupohen në një të vetëm, në Vendet e Numërimit të Votave, ku si rregull duhet jenë në ambiente shtetërore, publike dhe pranë Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor.

Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhor. Gazeta "Si", 15 dhjetor 2019

Pra, më këtë propozim shmanget numërimi i votave pranë qendrave të votimit, duke i ikur asaj që aplikon Kosova dhe që mbi të gjitha ndikon në nxjerrjen sa më të shpejtë të rezultatit zgjedhor. Në propozimin e amendamenteve, ekspertët kanë lënë pezull variantin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e lënë për një kohë tjetër se si do të ndërtohet ky institucion. Ndërsa është përcaktuar Zonave e Administrimit zgjedhor nuk mund të shtrihen në dy qarqe. Tirana do të ketë 11 ZAZ, aq sa ka qenë numri i njësive të bashkiake të dikurshme. Shtrirja e ZAZ-ve, si rregull, është e njëjtë me territorin administrativ të bashkisë, sipas ligjit që rregullon organizimin administrativ-territorial të Republikës së Shqipërisë. “Bashkitë që kanë më shumë se 80 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një ZAZ, në përputhje me kriteret e mëposhtme: a) pandashmëria e territorit të njësisë administrative, përjashtuar ato me më shumë se 80 mijë zgjedhës; b) vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike; c) mundësi të mira komunikimi brenda territorit; ç) numër i përafërt zgjedhësish”, thuhet në amendamentin e propozuar.

Faksimile e amendamenteve të siguruar nga Gazeta "Si". 15 dhjetor 2019

Varianti me numërim dhe votim elektronik

Në propozimet e draftit të siguruar nga Gazeta “Si” socialistët janë të përgatitur edhe për variantin tjetër atë të numërimit dhe të votimit elektronik të votave. Kjo është edhe një nga kërkesat kryesore të opozitës, PD-së dhe aleatëve të saj, të cilët kanë vendosur si kriter përdorimin e teknologjisë. Nëse do të zbatohet ky variant, atëherë rezultati i zgjedhjeve sipas këtyre propozimeve duhet të nxirret menjëherë në Qendrat e Votimit. Kjo do të sillte edhe nxjerrjen e rezultatit në një kohë rekord.

“Instalimi i pajisjeve kryhet nga personeli teknik i KQZ-së ose nga operatori privat i kontraktuar për këtë qëllim. Zyrtarët zgjedhorë të NjAV-it, gjegjësisht NjAN-it, kur për administrimin e procedurave të votimit a numërimit nuk është kontraktuar operatori i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit, i marrin në dorëzim pajisjet nga personeli teknik, pasi janë instaluar dhe kanë kryer me sukses provën e funksionimit”, thuhet në pikën dy të nenit 85 të projektit.

Makinë elektronike numërimi

Sa i përket vlerësimit të votave, ë rastet e votimit elektronik, sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit formatohen në mënyrë të tillë që të lehtësojnë shprehjen qartësisht të vullnetit nga ana e zgjedhësit, të pengojnë nxjerrjen e pavlefshme të votës, si dhe të lexojnë saktësisht votën. Sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që përdoren për votim i nënshtrohen testimit parazgjedhor dhe verifikimit paszgjedhor, sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja.
“Në rastet e numërimit manual të votave, kur kontestohet vlerësimi i bërë nga zyrtari zgjedhor i numërimit, votat e kontestuara rivlerësohen nga NJAZ-i dhe përfshihen në rezultat. Votat e rivlerësuara nga NJAZ-i shenjohen, me qëllim që të bëjnë të mundur rivlerësimin dhe, eventualisht korrigjimin e rezultatit përgjatë procedurës ankimore”, thuhet në këtë draft.

KQZ, pezull pa ndonjë variant

Në këtë draft nuk është përcaktuar se si do të formohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Burime nga mazhoranca konfirmojnë se në tryezë ka dhe propozime të tjera që mund të tjetërsojnë formatin e një KQZ-je me 1 njeri të vetëm në krye. Ndaj, çështja do t’i lihet në dorë deputetëve duke e shtyrë për një moment të dytë. Ndërkohë, në qendrën e votimit dhe numërimit komisionerët do të jenë pjesë e nëpunësve të administratës. Zgjedhje e komisionerit, të Rregullatorit dhe të komisioni të Ankimeve, KAS, janë shtyrë ekspertët pasi pritet të vendoset mënyra e formulimit të KQZ-së, nëse do të jetë me një skemë puro politike siç është aktualisht, apo me një skemë tjetër pa shtatë anëtarë.

Si do të formohet Kolegji Zgjedhor, zgjedhje me short, në fuqi deri në 2022

Me reformën në drejtësi, parashikohet edhe një mënyrë e re ndërtimit të Kolegjit Zgjedhor. Sipas aneksit të propozimeve Kolegji Zgjedhor përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Në shortin e hedhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve, që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor, përfshihen emrat e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë, gjykatat administrative të shkallës së parë dhe të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë. Në rast se një gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor nuk konfirmohet në detyrën e gjyqtarit për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve sipas ligjit, vakanca e krijuar për këtë shkak plotësohet në përputhje me përcaktimet e bëra jo më vonë se 15 ditë nga krijimi i saj. Shorti për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor hidhet jo më vonë se 45 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Anëtarët zgjidhjen me short dhe ai hidhet në praninë e publikut, përfaqësuesve të KQZ-së, partive politike, organizatave jofitimprurëse me fushën e veprimtarisë në çështjet e zgjedhjeve dhe të medias.

Trupa e kolegjit zgjedhor që ka shqyrtuar dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit

Shorti zhvillohet duke tërhequr emrat e tetë gjyqtarëve nga kutia e shortit. Para fillimit të tij, të pranishmëve u jepet mundësia të këqyrin kutinë e shortit dhe emrat e gjyqtarëve të futur në të. Pas këqyrjes, nxirren tetë emra nga kutia. Ata përbëjnë Kolegjin Zgjedhor dhe delegohen në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor menjëherë pas hedhjes së shortit. Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij. Vendimi i Kolegjit publikohet menjëherë në faqen e internetit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe ndaj tyre nuk mund të bëhet ankim. Ndërsa në këto amendime parashikohet që Kolegji Zgjedhor të jetë në detyrë deri më 2022. “Deri në datën 1 shtator 2022 shqyrtimi gjyqësor i ankimeve gjyqësore sipas Kreut I, Pjesa XI të këtij ligji, do të kryhet nga Kolegji Zgjedhor. Shqyrtimi gjyqësor i ankimeve nga Kolegji Zgjedhor bëhet në përputhje me përcaktimet e bëra në Aneksin që i bashkëlidhet këtij ligji”, thuhet në këtë propozim. Kjo pasi pasdi kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë nuk është formuar ende si pasojë e reformës në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë