Kosova

Numër më i vogël protestuesish sot në veri. Hiqet një pjesë e telave gjemborë

Edhe të martën(6 qershor) po vazhdojnë protestat e nisura që nga 29 maji në tri komunat në veri të Kosovës – Zvecan, Leposaviç dhe Zubin Potok.

Megjithatë sot raportohet për një numër më të vogël të protestuesve të pranishëm. Në mesin e protestuesve janë kryesisht punëtorët e institucioneve komunale në sistemin paralel serb.

Ashtu si dje, sot janë hequr edhe një pjesë e telave gjemborë përreth ndërtesës komunale në Zveçan, ndërsa tani aty qëndrojnë vetëm tre ushtarë.

Në këtë komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, më 29 maj ndodhi një përleshje mes protestuesve lokalë dhe ushtarëve të KFOR-it, 30 prej të cilëve u plagosën dhe pësuan dëmtime.

Mbrëmjen e djeshme, emisarët e SHBA-ve dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak përsëritën tre kërkesat për qetësimin e situatës në veri.

E para është depërshkallëzimi i situatës në veri, së dyti zgjedhjet në këto komuna dhe së treti rikthimi në dialog.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë