Futboll

Nuk u përgjigj në Whatsapp, se ishte me nënën në spital, Holanda e lë jashtë

Gazeta Si – Puna kundër familjes. Nevoja për të bërë një zgjidhje mes asaj që thotë kontrata dhe dëshirës për të qëndruar pranë të afërmve… Një situatë që të gjithë e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë.

Edhe në botën e futbollit vlen e njëjta gjë. Mjafton të përmendet rasti i Luis Enrikes, që la përkohësisht stolin e Spanjës, pasi vajzës së tij Xana i kishte mbetur pak kohë për të jetuar. Dhe sapo e ndjeu veten gati, federata e ktheu në detyrë.

Por ndonjëherë zgjedhje të tilla kushtojnë shtrenjtë, si në rastin e portierit të Ajaksit, Jay Gorter, i cili humbi mundësinë e grumbullimit me Holandën U-21, sepse nuk iu përgjigj mesazheve në Whatsapp të trajnerit të portierëve.

Jay Gorter, portieri i Ajaksit., Gazeta Si, 17 shtator 2022

Duket si një indiferentizëm pa sens i një futbollisti të ri, por situata është ndryshe. Gorter ishte në spital, pranë nënës së tij të sëmurë. Lajmi është dhënë nga gazetari i ‘Telegraph’, Mike Verweij.

“Gorter nuk iu përgjigj mesazheve dhe mbeti jashtë. Sierd van den Berg ka menduar se raportet personale janë më të rëndësishme se paraqitja në fushë, por ai mendon po ashtu se Gorter duhej të përgjgigjej, pavarësisht situatës me nënën e tij”. Nga jashtë mund të duket e lehtë, por kushedi çfarë mendonte djaloshi në ato momente.

Portieri mbeti jashtë dhe trajneri Erwin van de Loi vendosi të grumbullojë Fabian de Keijzer të Utrehtit, Bart Verbrugen të Anderlehtit dhe Kjell Sherpen të Viteshes. Historia ka bërë xhiron e botës dhe ka ngritur një pikëpyetje: bëri mirë Gorter që nuk u përgjigj, apo ka të drejtë trajneri?

Pjesa më e madhe e komenteve janë në favor të portierit, por ka edhe nga ata që gjykojnë se një përgjigje e shkurtër me një shpjegim të thjeshtë të situatës do të sillte më pak probleme.

Dikush tjetër ka bërë një krahasim me një emër të njohur: “Familja është gjëja më e rëndësishme. Ka nga ata që lënë ndeshjet për ditëlindjet e një prej motrave”. Një koment që i referohet Nejmarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë