Kosova

‘Nuk u njoftua për letrën në KiE sepse ishte në Amerikë’, Osmani-Konjufcës: Qesharake! Dëshironi t’i lini fajin Presidencës

Nga Gazeta ‘Si’ – Letra e Qeverisë së Kosovës për hartimin e një drafti të ri për Asociacionin që u dërgua në Këshillin e Europës dhe për të cilën presidenca e Kosovës njoftoi se nuk kishte qenë në dijeni, vijon ende të shkaktojë replika.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është përgjigjur ashpër sot kryeparlamentarit Glauk Konjufca i cili deklaroi se ajo nuk u njoftua për letrën pasi ndodhej në Amerikë.

Këtë deklaratë të Konjufcës Osmani e ka quajtur qesharake dhe deklaroi se në kohën moderne ekzistojnë mundësitë e shumta të komunikimit siç është telefoni.

“Do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtet deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këta tre vjet e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë.”

Osmani ka deklaruar se me këtë moskoordinim për një çështje kaq kapitale po përpiqen t’i lënë fajin Presidencës.

 “Të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo dite të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes e kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i Kuvendit, sepse me të si kryetar i Kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi me ta, edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat, ka mënyra të sigurta të komunikimit, të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër”, u shpreh Osmani.

Mandej ajo ngriti pyetjen se si ka mundësi që dikush nga shoqëria civile në Gjermani e dinte për letrën para Presidencës së vendit, para Parlamentit dhe para popullit të Kosovës  dhe ndërkohë qenka gjetur mundësia që të koordinoheshin me të?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë