Politike

‘Nuk tërhiqem nga shpifjet’, Berisha: Nëse një familjar i imi ka përfituar, unë jam përgjegjës

Ish-kryeministri Sali Berisha, në konferencën e përditshme për shtyp qysh prej vendosjes së masës së sigurisë ndaj tij nga GJKKO, ka deklaruar se nëse një familjar i tiji ka përfituar në kundërshtim me ligjin në kohën kur ai ishte kryeministër, atëherë ai merr përgjegjësi të plotë.

“E kam thënë dhe e them përsëri, kur një fakt i vetëm të paraqitet, unë marr çdo vendim.
Por të garantoj se me falsitete, me trillime, me shpifje, kurrë nuk mund të ketë gjë që të detyrojë të tërhiqet Sali Berisha.
Ja pra janë këto që janë reforma, nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra shqiptarë.
Dhe që jam krenar për to, sepse transformova çështjen e pronësisë. Nëse një familjar i imi, ka përfituar një metër katror në kundërshtim me ligjin, atëherë unë jam përgjegjës.

Por të thuash se ku i mori paratë ky që hyri me 113 metër tokë dhe dori me 5 milionë, siç bëjnë organet e Sorosit dhe skapistët e Edi Ramës, do të thotë të mashtrosh në mënyrën më groteske.

Sepse ai që përfundoi me 5.4 milionë euro, ishte investitor me marrëveshje të firmosur, të noterizuar që në vitin 2008. Ai bashkë me bashkëzhvilluesit e tjerë, tre vetë, vendosi kontributet në themel të këtij aktiviteti. Dhe kontributi nuk ishte 113 metra tokë siç mashtrojnë skapistët dhe përcjellin mediat e Sorosit, por ishte 1250 metra katrorë tokë, sepse ai bleu tokat e kushërinjve të vet…”, tha ndër radhë Berisha.

Gjatë konferencës për shtyp, duke iu referuar dosjes ndaj tij, Berisha tha se ndryshimet në ligjin për pronat në vitin 2016 sollën risi të reja dhe të rëndësishme në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë