Gazeta Si – Disa punonjës të një kompanie telefonike private janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga policia e Tiranës, pasi nuk kanë raportuar një ngjarje të ndodhur në muajin dhjetor 2024.
Sipas policisë, pas marrjes së informacionit për një ngjarje të ndodhur dhe të paraportuar, kanë kryer veprime verifikuese dhe hetimore, të cilat çuan në konstatimin e kësaj ngjarjeje, e ndodhur më 25 dhjetor të vitit të shkuar në ambientet e një kompanie telefonike, në zonën e Laprakës.
Nga hetimet paraprake, rezultoi se rreth orës 02:30, dy persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e kësaj kompanie, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.
Ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, i cili në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.
Po ashtu, është konstatuar se edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.
“Në përfundim të veprimeve procedurale, Komisariati i Policisë Nr. 3 referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj: 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, shtetasve G. K., 50 vjeç dhe A. F., 31 vjeç, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, shtetasit E. S., 38 vjeç. Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj: drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve A. Z., 54 vjeç, G. S., 40 vjeç, K. V., 63 vjeç, M. D., 55 vjeç; dhe I. T., 62 vjeç. Hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse janë përmbushur detyrimet ligjore dhe kontraktuale nga shoqëria private e sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë”, thuhet një njoftimin zyrtar të Policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.