Drejtësia

Nuk nisi hetimet për ndërtimin pa leje në Theth, Manja kërkon nisjen e procedimit për prokuroren Gjeli

Nga Gazeta ‘Si’ – Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dërguar në ILD dhe KLP prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli.

Ulsi Manja kërkon nisjen e procedimit disiplinor për Gjelin, sipas ligjit, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.

Në shkresën drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, thuhet se ‘prokurorja Gjeli vendosi mosfillimin e procedimit penal brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren’.

Kujtojmë se ditët e fundit kryeministri Edi Rama ka nisur një aksion për pastrimin e hapësirave publike.

Ka qenë vetë kryeministri ai që ka shenjestruar Prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, për ndërtimet pa leje në Theth.

Prej ditësh në Theth policia dhe IKMT kanë nisur shembjen e objekteve pa leje. Ky aksion ka shkaktuar reagime të shumta, me banorët e Thethit që kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë