Treg

Nuk mbushim dot tryezën e festave: Çmime të larta, pak blerje në tregjet e fruta-perimeve

Përballë çmimeve në rritje dhe të njëjtës sasie parash në xhep të shqiptarëve, atmosfera në tregjet e frutave dhe perimeve të kryeqytetit duket jo fort optimiste.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në prag festash është një traditë e vazhdueshme në vendin tonë, duke rënduar xhepat e qytetarëve edhe në produktet më të domosdoshme në tavolinë. Shporta e konsumatorëve ka ndryshuar.

Në një vëzhgim nga tregu që bëri Gazetasi.al, vihet re se shtrenjtimi i çmimeve po vazhdon zinxhir, që nga prodhimet e tokës, te grumbulluesit dhe shitësit me shumicë e deri te stendat e tregjeve ku blejnë shqiptarët.

Ushqimet janë kategoria që prej më shumë se një viti po mban gjallë inflacionin, por në vend se të rritej konsumi, janë ngritur çmimet.

Blerësit shprehen të pakënaqur nga situata që i privon ata që të mbushin tryezën e festave me më shumë produkte ndërsa tregtarët janë po aq të pakënaqur me fitimet që sipas tyre lënë për të dëshiruar.

“Në këtë periudhë të vitit dihet që ka rritje çmimesh sepse kështu ndodh gjithmonë por blerjet janë të vakëta. Rritja e çmimeve njësoj si të gjithë botën, na preku edhe ne.

Tregtarët ende po përpiqen të kompesojnë dëmin ekonomik të një viti më parë të shkaktuar nga pandemia. Shumë pak qytetarë vijnë për të blerë”,-tha për Gazetasi.al Viktor Kondatçiu, një tregtar që shet në hyrje të tregut “Dinamo”.

Në zona të ndryshme të Tiranës, çmimet ndryshojnë, por gjithsesi ankesat e qytetarëve vihen re në secilën prej tyre.

Në lagjen “Ali Demi” një kilogram domate kushton 180 lekë dhe patatet pak gjë më pak.

“Këtë vit lëre frutat që nuk po i prekim dot se janë shumë shtrenjtë por edhe perimet si patatja e domatja nuk po mundemi t’i blejmë.

Çmime të larta gjithandej, për çdo produkt. Ky vit na gjeti në krizë e në krizë na la.

Ne jemi pensionistë, me aq para çfarë të blejmë më parë. Ja kështu do e festojmë Vitin e Ri, me shtrëngime ”,-tha për Gazetasi.al Shpresa Hoxha, një e moshuar që po blintë dy kilogramë portokalle në një tezgë buzë rrugës kryesore.

Një tjetër tregtar në Pazar të Ri tregon për Gazetasi.al se nëse dikur shporta e festave ishte plot me fruta nga më të ndryshmet, këtë vit njerëzit po blejnë vetëm portokalle dhe manderina.

“Njerëzit nuk po përballojnë këtë vit të blejnë frutat që dikur ishin kryefjala e festave. Ananasi e shegët po blihen gjithnjë e më pak sepse kushtojnë. Një kilogram shegë kushton 250 lekë. Maksimumi marrin manderina.

Çmimet janë rritur më shumë muajin e fundit e sidomos këto ditët në prag të festave”, shtoi mandej ai.

Në fakt edhe buletini i radhës për indeksin e çmimeve të konsumit për muajin nëntor nga INSTAT raportoi se rritjen më të madhe e pësoi grupi i ushqimeve.

Sa i takon zërit të fruta dhe perimeve,  të dhënat e zyrës për mbrojtjen e konsumatorit thonë se rritja varion nga 14-26% dhe ndryshon çdo ditë por këtë periudhë përqindja ka qenë rrjedhimisht më e lartë.

Në muajin nëntor çmimet u rritën me 3.3 % krahasuar me një vit më parë. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” ka shënuar një rritje prej 5.6 %  dhe u pasua nga “Transporti” me 5%.

“Krahasuar me vitin e kaluar këtë vit njerëzit po blejnë më shumë sepse 2020-ta ishte vit pandemik dhe shitjet kanë qenë shumë të ulëta, por krahasuar me vitin 2019 po blejnë më pak.

Qytetarët janë gjithnjë e më të kursyer në blerjet e produkteve. Mungesa e të ardhurave i kushtëzon për të patur shumëllojshmëri ushqimesh në tavolinë. Konsumatorët ndihen të pambrojtur karshi rritjes së çmimeve.

Përgjithësisht janë rritur me 100 lekë. Por ne nuk jemi fajtorët për këtë rritje. Është tregu. Edhe për ne kjo situatë nuk është fare e dëshiruar sepse fuqia blerëse është ulur sa nuk ka ku të shkojë më shumë”,-tha për Gazetasi.al Selim Balla, një tregtar që shet prej disa vitesh në zonën e Don Boskos.

Vala e çmimeve të larta i ka bërë dy ditët e fundit të vitit të duken të vakëta e pa humor në tregjet e kryeqytetit, ndryshe nga se supozohej të ishin.

Si blerësit dhe qytetarët e kanë të njohur këtë panoramë nga viti i shkuar tashmë. Vitin i Ri në tavolinat shqiptare do të vijë me numër më të ulët produktesh por pa dyshim me çmime më të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë