Kombetarja

Nuk kishte asnjë dyshim, Asani kandidon për ‘Golin e raundit’ me perlën ndaj Polonisë

Gazeta Si – Nuk kishte asnjë dyshim që ai supergol i Jasir Asanit në ndeshjen me Poloninë do të ishte mes kandidatëve për çmimin e ‘Golit të raundit’. Një çmim që jepet nga UEFA dhe që zgjidhet me votim në faqen e saj zyrtare.

Në profilin “UEFA EURO 2024” ka nisur tashmë votimi për golin më të bukur. Rivalët e Asanit për këtë çmim janë Zhoao Feliks i Portugalisë, Trosard i Belgjikës dhe Samorodov i Kazakistanit.

Shanset janë të mëdha që Asani të shpallet fitues, sepse ka realizuar një gol vërtet të rrallë. Gjuajtja e tij ishte në një pozicion diagonal dhe ai i ka dhënë topit një trajektore perfekte, duke mposhtur edhe një nga portierët më të mirë në botë, siç është Shezni i Juventusit.

Jasir Asani e ka fituar në qershor çmimin e ‘Golit të raundit’ për realizimin ndaj Moldavisë. Tani kërkon të bëjë ‘dopietë’. Po këtë çmim e ka fituar edhe Kristjan Asllani me golin e shënuar ndaj Ishujve Faroe, kurse goli i Nedim Bajramit në Pragë ka dalë në vend të dytë.

Vetëm në ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Polonisë në Varshavë Shqipëria nuk ka pasur një gol kandidat për këtë çmim. Në atë ndeshje kuqezinjtë u mundën 1-0 dhe më pas shpërthyen me fitore dhe gola spektakolarë, që i kanë ngjitur në vendin e parë të grupit, me 10 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë