Ngjarje

Nuk kanë marrë ende rrogën e dhjetorit, Shoqata e Infermierëve: Punonjësit heshtin nga frika e presionit

Nga Gazeta Si- Pa asnjë njoftim dhe pa asnjë justifikim, Infermierët thonë se nuk kanë marrë ende pagën e dhjetorit, një vonesë që sipas tyre është ekstreme.

Në një njoftim për mediat, Shoqata e Infermierëve thotë se edhe pse është data 22 Janar, paga e muajit Dhjetor ende nuk ju është dhënë punonjësve të Shëndetësisë.

“Më e turpshme se kjo është dhe heshtja që ka kapluar çdo individ, punonjës dhe institucion e për më tepër sindikatat inekzistente në Shqipëri që reagojnë vetëm kur kanë interesa personale apo politike për marrje kuotash ose fondesh por që punonjësit i shohin si përfitim e jo si individ për ti përfaqësuar”, shkruhet në njoftimin e Shoqatës.

Më tej, shoqata shton se e rëndë është edhe heshtja e vetë punonjësve që dhe kur s’ju japin hakun e merituar, heshtin nga frika e presioneve të vazhdueshme që ju bëhen me largime nga puna. “Dhe qershia mbi tortë është heshtja e vetë Ministrisë lidhur me këtë shqetësim duke mos bërë asnjë reagim e për më tepër duke premtuar rritje page në formë lëmoshe ose si formë për t’ju mbyllur gojën”, thotë Shoqata e Infermierëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë