Gazeta Si – Nuk ka Uimbëlldon për tenistët rusë dhe bjellorusë. Sipas shtypit britanik dhe jo vetëm, është marrë vendimi për të përjashtuar sportistët nga Rusia dhe Bjellorusia nga edicioni i ardhshëm, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Pritet vetëm zyrtarizimi i këtij vendimi.
Një vendim që, nëse konfirmohet, vjen një javë para konferencës për shtyp të prezantimit të turneut. ATP dhe WTA janë informuar, sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, duke cituar burime të besueshme. Ka reaguar menjëherë Kremlini, që e konsideron të papranueshëm vendimin.

Masa e marrë nga organizatorët e turneut do të thotë përjashtim nga tabela e meshkujve e 4 lojtarëve nga ‘top 30’ e renditjes botërore, duke nisur nga numri 2 Danil Medvedev. Po ashtu, do të thotë përjashtim i 5 tenisteve të 40-shes së parë, ku bëjnë pjesë edhe numri 4, bjellorusja Arina Sabalenka, dhe patriotja e saj, ish-numri 1 Viktoria Azarenka.
Pas shpërthimit të luftës në mes të shkurtit, Federata Botërore e Tenisit ndaloi pjesëmarrjen e kombëtareve ruse dhe bjelloruese në turnetë e skuadrave, por lejoi tenistë të caktuar për të marrë pjesë në turne ndërkombëtarë, edhe pse jo me flamurin e vendit të tyre. Vendimi për të përjashtuar tenistët rusë dhe bjellorusë nuk është një iniciativë e qeverisë britanike, por drejtpërdrejt e “All England Club”, selia e turneut Slam.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



